E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Qeveria vepron tërësisht jashtë transparencës

Deputeti socialist, Andis Harasani, akuzoi dje qeverinë se po anashkalon transparencën sa u takon privatizimeve dhe procesit të dhënies me koncesion të veprave të ndryshme. "I kërkojmë zotit Berisha që në vend që të laget në shi, duke mbikëqyrur veprat, ku e vetmja meritë që ka është ajo që i vonoi për afera korruptive për mbi dy vjet, siç ishte linja që bëri sikur mbikëqyri dje, të bëjë transparencë për publikun shqiptar, në lidhje me pasuritë tona kombëtare, të cilat po bastardohen dhe zhvlerësohen nga dita në ditë", vlerësoi Harasani. Sipas tij, kemi tre skenarë, një skenar kur po firmosen kontrata, një skenar ku po tenderohet dhe një skenar të tretë ku po jepen koncesione, të cilat kanë vetëm dy pika të përbashkëta: korrupsion masiv dhe mungesë totale transparence. Harasani i kërkoi qeverisë të bëjë transparencë të plotë lidhur me bisedimet për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. "Transparencë të plotë në lidhje me negociatat për privatizimin e plotë të INSIG. Askush jashtë familjes biologjike nuk ka dijeni se çfarë po negociohet, cilat janë termat, cilat janë kushtet", konstatoi ai. Në vlerësimin e Harasanit është bërë publike dhënia me koncesion për qendrën e kontrollit të drejtimit të automjeteve. "Një kompani shumë e respektuar gjermane është tërhequr nga tenderi dhe i ka dërguar një letër proteste të mbushur me shqetësime dhe detaje të korrupsionit zotit Berisha, por askush nuk di më shume se ç‘po bëhet me këtë tender!", insistoi Harasani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›