E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashani: Asambleja e KE i ka dhënë kredencialet Shqipërisë

"Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës i ka dhënë kredencialet delegacionit shqiptar, duke e vlerësuar si legjitim mandatin e Ilir Rusmalit". Kjo deklaratë është bërë dje nga deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani, e cila është pjesë e delegacionit shqiptar në Strasburg. Trashani ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pas mbledhjes së Komisionit për Rregulloren dhe Procedurat e Këshillit të Evropës, e cila ka rrëzuar emrin e Aleksandër Biberajt dhe ka legjitimuar mandatin e Ilir Rusmalit. Sipas deputetes së PD-së, vendimi i Komisionit për Rregulloren dhe Procedurat ka qenë unanim, ata tha Trashani, janë shprehur se Parlamenti shqiptar dhe Kryetarja Topalli kanë zbatuar me përpikmëri procedurat për zëvendësimin e deputetit Biberaj. Deklarata e Trashanit është përforcuar edhe nga deputetja tjetër e mazhorancës, e cila është pjesë e këtij delegacioni, Lajla Përnaska. Gjithashtu, edhe ajo ka theksuar se Komisioni i Rregullores në Asamblenë Parlamentare të KE-së, ka hedhur poshtë kontestimin për delegacionin shqiptar, duke e vlerësuar si një çështje të brendshme të delegacionit shqiptar. Përnaska ka theksuar se në komision kanë qenë të pranishëm si Rusmali ashtu edhe Biberaj, të cilët kanë dhënë sqarimet përkatëse për procedurat e ndjekura në raport me Komisionin Evropian dhe Asamblesë Parlamentare. Por pavarësisht deklaratave të bëra nga dy deputetët e PD-së, Trashani dhe Përnaska, mësohet se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të marrë një vendim përfundimtar për kredencialet e delegacionit shqiptar të enjten, pasi ato janë sfiduar për arsye procedurale në ditën e hapjes së sesionit vjetor në Strasburg. Përfaqësuesi i Hungarisë në KE, Matyas Eorsi, është shprehur kundër heqjes së parakohshme të deputetit Biberaj, ndaj ai ka deklaruar se "kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët tanë u hoq në një mënyrë që shkel rregullat e aplikueshme". Komisioni i rregullave të Asamblesë do të përgatisë një raport mbi këtë çështje, ndërkohë që delegacioni shqiptar mund të zërë vendet e veta në mënyrë provizore në Asamble deri të enjten, me të drejta votimi dhe të drejtë fjale, por nuk mund të votojë për kredencialet e veta. Gjatë kësaj mbledhjeje, Asambleja ka votuar dhe rizgjedhur Presidentin Lui Maria De Puig, si dhe zëvendëspresidentët nga 19 vende pjesëmarrëse në këshill. Gjithashtu, këto dy ditë pritet që në Shqipëri të vijnë dy reporterë e KE-së për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›