E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Përgjegjësia e zgjedhjeve bie direkt mbi Berishën

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se çdo dështim zgjedhjesh e kalon përgjegjësinë politike te Kryeministri Sali Berisha. Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, tha se kjo parti ka bërë shumë të qarta shqetësimet publike për këtë proces kaq të rëndësishëm, për një standard kaq të rëndësishëm, siç janë kartat e identitetit. "Nuk i kemi bërë as sot dhe as dje, por i kemi bërë që një vit më parë, atëherë kur ishin krejtësisht të pashqetësuar Kryeministri Berisha dhe lidershipi i Partisë Socialiste, por ata ishin më të shqetësuar për të ndryshuar Kushtetutën e të kalonin një kod krejtësisht problematik, e ku të ligjërohej një administrim sa më shumë i pandershëm i votave të shqiptarëve", theksoi Vasili. Sipas tij, sot jemi përpara një situate që është situata e faktit të kryer, për të cilën ne publikisht, si forcë politike shumë e përgjegjshme, u bëjmë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë gjerësisht në këtë aksion, jo për të mirën e Berishës, por për të mirën e zgjedhjeve në Shqipëri. "Ne kemi bërë publik një plan emergjent, i cili duhej ndërmarrë nga Berisha për zgjidhjen e situatës, por Berisha ka zgjedhur me kohë që të bëjë veshin e shurdhër, ose t‘i marrë në konsideratë këto dhe t‘i shesë sikur janë zgjidhje të tijat", vijoi Vasili. LSI siguron se nuk është në merak të madh për autorësinë e zgjidhjeve, sepse ndërkohë jemi të bindur që qoftë në Partinë Demokratike, qoftë në Partinë Socialiste, mania e plagjiatorëve, e atyre që kopjojnë ide sepse nuk kanë ide të tyret, është e vjetër. "Ne duam vetëm një gjë, që zgjedhjet të realizohen brenda standardeve dhe do të jemi monitorues shumë seriozë dhe të përgjegjshëm në çdo hap që do të hidhet në këtë drejtim", tha Vasili. Për sa u takon mënyrave të zgjidhjeve, nënvizoi ai, i kemi bërë publike dhe në një komunikim me mediat disa ditë më parë hapat e mënyrat që duhet të ndërmerren, që kjo situatë të zgjidhet. Vasili këmbëngul se çdo mosmarrëveshje në konsideratë e këtyre rekomandimeve që ne kemi bërë, është një përgjegjësi që bie drejtpërsëdrejti mbi Berishën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›