Harasani: Rama të distancohet nga pazaret për bojkotin
Deputetët kundërshtarë të bojkotit të Kuvendit nga ana e PS-së nuk besojnë se marrëveshja mes partisë së tyre dhe Partisë Demokratike për ndërprerjen e bojkotit duhet të ngrihet në bazë të pazareve në kurriz të institucioneve të tjera. Propozimet e hedhura në media nga ish-deputeti i LSI-së, tashmë i afruar me PS-në, Pëllumb Xhufi, që PS të marrë Presidentin, prokurorin, kreun e SHISH-it në këmbim të kompromisit, deputeti Andis Harasani i quan të turpshme dhe i kërkon kryesocialistit Edi Rama që të distancohet. Në një intervistë për Klan Andis Harasani i kërkon kryesocialistit Rama që të tregojë se nuk përkrah teza të tilla nga personazhe si Xhufi, që sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Afrimi i Xhufit ndaj PS-së, sipas Harasanit, bëhet vetëm për interesa personale. “Persona të cilët kanë kërkuar votë kundër PS-së, kundër Edi Ramës në zgjedhjet e qershorit të 2009-s, sot dalin e flasin në emër të PS-së. Ajo që mua më shqetëson, është që do t’i bëja thirrje kryetarit të PS-së, zotit Rama, të heqë dorë nga persona të tillë, të cilët i kërkojnë pazare”, - shprehet deputeti socialist. Më tej ai e quan të pavend një pazar të mundshëm edhe sikur të kërkohej realisht nga PS-ja. “Nuk ka se si t’i kërkohet Kryeministrit Berisha Presidenti, prokurorë, qoftë edhe për të kërkuar ambasadorin tonë në Romë ose shoferin e ambasadorit në Romë”, - ironizon Harasani, duke kujtuar kështu detyrën që mbante Xhufi si ambasador në Itali, para se të përfshihej në partinë e Ilir Metës. Xhufi i akuzonte 4 deputetët e LMN-së se po punonin për interesa të Berishës, ndërsa Harasani thotë se “PS është e bindur për të luftuar në institucione, për të luftuar në Parlament, në mënyrë që ta rrëzojë këtë qeveri”. Më tej Harasani ka tejkaluar akuzat që Xhufi bën në adresë të tij dhe 4 deputetëve të njohur si oponentë të kryesocialistit Rama, pas vendimit të këtyre të fundit për të thyer bojkotin, brenda afateve që parashikon Kushtetuta. “Nuk ka asnjë problem për atë çka thonë personazhe si zoti Xhufi. Njihet botërisht që zoti Xhufi, për shkak të lidhjeve farefisnore, familjare, shpirtërore me Enver Hoxhën, nuk mund të flasë ndryshe”, - shprehet deputeti i Tiranës. Por, megjithëse duket qartë se fjalët e Xhufit, i cili ka qëndruar në krah të Ramës edhe në protestat e fundit të vitit që shkoi, kanë ardhur nga goja e kreut të PS-së, Harasani dëshiron të mos e besojë këtë. “Unë nuk do të doja ta besoja atë. Unë do të doja që persona si Xhuifi që nuk janë votuar asnjëherë në popull, thjesht mundohen të shikojnë padronët e radhës”, - tha ai.