E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Rama, ligjëratë në Harvard, shmang shqiptaro-amerikanët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjithashtu kreu i opozitës, Edi Rama, po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Harvardit me temën “Dialogu në diplomacinë kulturore dhe urbane dhe transformimin e kryeqytetit”. Duke e bërë këtë vizitë në detyrën si kryebashkiaku i Tiranës, ai është ftuar nga homologu i tij i Bogotës, Antanas Mockus, i cili po ashtu do të ligjërojë një temë pranë këtij institucioni. Njoftimi për axhendën e takimeve të Edi Ramës bëhet i ditur nga një njoftim për shtyp i Harvard - Kennedy School, ndërkohë që mësohet se vizita e Edi Ramës në SHBA nuk përfshin asnjë takim tjetër zyrtar, përfshirë këtu edhe ndonjë takim me komunitetin e shqiptarëve. Por, përveçse nuk ka lënë takim me komunitetet shqiptare atje, Rama ka krijuar një terr të vërtetë informacioni mbi lëvizjet e tij gjatë qëndrimit atje, duke mos u dhënë mundësi shqiptaro-amerikanëve që të mund ta takojnë. Si një traditë e krijuar tashmë ky komunitet nuk humbet asnjë rast për të njohur nga afër politikanët e Shqipërisë, që ashtu si Rama kanë qenë ligjërues më parë në Harvard. Një faqe e internetit të shqiptarëve të Bostonit, “MassBesa” ngre dhe debat për këtë çështje. Ata nuk e dinë se ku do të mbahet takimi me komunitetin, apo çfarë formati do të ketë. Të tjerë kanë shprehur dëshirën për ta takuar, por kanë mbetur të zhgënjyer. Një shqiptaro-amerikan shkruan: “Kam përshtypjen se ata që e përcaktojnë axhendën "Rama" e kanë minimizuar (për të mos e thënë se fare e kanë eliminuar) mundësinë e takimit me komunitetin shqiptar dhe ecurinë normale të një axhende, për një politikan apo një nëpunës, i cilido treve shqiptare që vjen në linje zyrtare në Boston”. Këto takime janë një traditë e shqiptarëve të Amerikës, kur personalitetet nga Shqipëria, Kosova e trojet e tjera shqiptare janë takuar në Nju Jork, Çikago, Detriot, Boston, Uashington, Dallas etj., me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takime të tilla janë zhvilluar si një bashkëbisedim i lirë dhe miqësor mbi jetën, punën dhe integrimin e shqiptarëve të Amerikës në jetën e përditshme. Në këto bashkëbisedime kanë marrë pjesë përfaqësues të diasporës së vjetër dhe të re dhe studentë shqiptarë që vazhdojnë studimet në SHBA-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›