Harasani: Thyerja e bojkotit, frikë nga djegia e mandateve
Deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Andis Harasani, u shpreh dje se qëndrimet e ditëve të fundit të disa organizmave ndërkombëtarë përforcojnë qëndrimin e pesë deputetëve që janë kundër bojkotit. Por nga ana tjetër ai është skeptik dhe kritik ndaj planit apo skenarit siç e konsideron Harasani për të hyrë ditën e enjte në Parlament vetëm nga frika e djegies së mandatit. Ndërkohë, deputetët e LMN vijojnë t’i mbeten idesë së hyrjes në Parlament në datën 4 mars, siç edhe kanë deklaruar më parë.
“është një nga rastet e pakta kur të vjen keq, që kupton se ka pasur të drejtë për 6 muaj, për 7 muaj rresht, kanë qenë pikërisht përpjekjet tona, kostot që ne kemi marrë ne pesë deputetët e asaj që është quajtur Lëvizja për Mendim Ndryshe. Më vjen keq që pas gjashtë muajsh edhe rezoluta e fundit e KiE dhe e OSBE-së janë absolutisht në të njëjtin qëndrim me atë që kemi mbajtur ne. është pra i njëjti qëndrim i të gjithë ndërkombëtarëve që PS-ja duhet të fillimisht të ndërpresë bojkotin”, tha ai. Sipas tij, Rama nuk e kupton që me ndërprerje të bojkotit do të thotë që opozita të kthehet në Parlament, të bëjë atë që ka nevojë të bëjë një opozitë e vërtetë, por thjesht mendohet që të hyhet në datë 25 shkurt, të enjten e ardhshme, për të bërë betimin, çka lexohet thjesht si një frikë për djegie mandatesh, si një frikë për mos-humbjen e rrogës.
Harasani shprehu bindjen se ai dhe kolegët e tij do të do të vijojnë, së bashku me të gjithë faktorin ndërkombëtar të kërkojnë që PS-ja të kthehet aty ku i takon si partia më e madhe në vend dhe të fillojë të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme. “Unë i shoh shumë të vështira të ndodhin për efekt të ndryshimeve kushtetuese që çifti Rama-Berisha bënë në legjislaturën e kaluar, por të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat ne duhet t’i fitojmë patjetër”, nënvizoi ai. Plani socialist u zbardh dy ditë më parë nga deputeti Islami. Edhe ai tha se ka një skenar që në datën 25 shkurt, deputetët socialistë të shkojnë në Kuvend. “Ka dhe një skenar javën e ardhshme, që të futen, të bëjnë një fjalim, të propozohet një draft ligj-special për hapjen e kutive apo për investigimin e fletëve dhe të dilet me idenë që kjo nuk quhet ndërprerje e bojkotit, kjo quhet vazhdim i bojkotit, por me një skenar qesharak”, tha Islami. Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, Islami vuri në dukje se shanset përmes presioneve në rrugë nuk ekzistojnë. Detyra e momentit e kreut të opozitës sipas tij është të mos e kthejë PS në një parti restorantesh e hotelesh, por të riformatojë koalicionin.
#