E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-agjenti: U shtira si i vdekur që të iknin agresorët

Në vendngjarje u harrua një atlete, ndërkohë që kamerat e një banke kanë filmuar agresorët

Ish-agjenti i antidrogës ka dalë jashtë rrezikut për jetën pas sulmit nga persona ende të paidentifikuar, që i shkaktuan dëmtime serioze teksa tentonin vrasjen e tij. Ditën e djeshme, gjendja e tij shëndetësore ka qenë e përmirësuar dhe ai ka treguar për gazetën “Shqip” se çfarë ndodhi tre net më parë në lulishten “11 Janari” në mes të qytetit të Lezhës. Pjetër Gjoni ka rrëfyer se ishte detyruar të shtirej si i vdekur, me qëllim që të largoheshin agresorët, njërit prej të cilëve i ka mbetur një atlete në vendin e ngjarjes dhe policia po punon për identifikimin e tyre. Gjithashtu, 48-vjeçari rrëfen se dyshimet që ka për këtë ngjarje kanë lidhje vetëm me punën e tij gjatë kohës në radhët e policisë, ku ka punuar për një jetë të tërë. Në një intervistë, ai rrëfen edhe kërcënimet e ndryshme gjatë punës së tij si agjent krimesh dhe agjent i antidrogës.

Z. Gjoni, si paraqitet gjendja juaj shëndetësore dhe a ju kujtohet si ka ndodhur ngjarja?

Aktualisht ndodhem jashtë rrezikut për jetën dhe mjekët më kanë thënë se nuk kam asnjë problem serioz. Atë natë po shkoja në zyrën e vëzhgimit si çdo natë që ndodhet pranë lulishtes “11 Janari” në Lezhë, pasi punoj për një SHRSF private, që është e specializuar për kamerat. Isha në lulishte dhe kolegu im ishte brenda në zyrë. Në ato momente jam kthyer dhe kam parë një person që erdhi dhe më goditi me një shkop bejsbolli. Nga reflekset arrita ta kap këtë person dhe e mbajta të shtrënguar pas vetes. Por dy persona, ose tre nuk i mbaj mend mirë, filluan të më godisnin nga të mundnin me shkopinj dhe leva. Aty rashë përdhe, por njërin prej agresorëve nuk e lëshova. Kjo mbase më shpëtoi nga ndonjë goditje pas koke, pasi grupi, i cili ishte i gjithi me maska, po ruante pjesëtarin e vet. Kur kanë arritur të ma shkëpusin nga duart, kanë filluar të më godasin me sa forcë kishin në të gjithë pjesët e trupit.

çfarë ndodhi më pas?

Me atë sulm ndaj meje, në pak sekonda, kuptova se donin të më vrisnin. Në këto kushte u shtira si i vdekur. Nuk nxora zë dhe nuk lëviza. Agresorët, duke menduar se vdiqa, u larguan me shpejtësi. Sapo kanë ikur jam ngritur në këmbë dhe kam shkuar në zyrë te kolegu im. I kam thënë të marrë armën me vete dhe menjëherë kemi hipur në makinë, ku më ka dërguar për në spitalin e Lezhës. Nga aty, duke parë gjendjen time, mjekët kanë urdhëruar të më nisin për në Tiranë. Kur kam mbërritur në Spitalin Ushtarak, më kanë kryer gjithë ekzaminimet e nevojshme dhe sot më thanë se nuk kam asnjë rrezik për jetën.

Arritët të njihni ndonjë nga agresorët?

Ata ishin me maska dhe nuk arrita t’ia heq maskën ndonjërit. Megjithatë, të dhëna për njohjen e tyre besoj që ka. Një prej tyre, ai person që unë jam përleshur me të, ka humbur atleten. Ajo i ka mbetur në vendin e ngjarjes dhe besoj se policia do ta ketë sekuestruar. Gjithashtu, pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja ndodhet edhe një bankë. Kamerat e sigurisë në ambientet e jashtme të kësaj banke mund të kenë kapur çdo lëvizje. Pavarësisht se cilësia do jetë e dobët, për shkak të errësirës, besoj se të dhëna identifikuese mbi agresorët e mi policia ka arritur t’i ketë në një kohë shumë të shkurtër.

Keni pasur ndonjë konflikt, ose a keni dyshime mbi ndonjë person?

Gjithë jetën time ia kam kushtuar policisë. Që prej shkëputjes nga policia e deri më sot, nuk kam pasur asnjë konflikt, qoftë edhe qejfmbetjen më të vogël. çdo dyshim i imi lidhet vetëm me policinë, pasi gjithë jetën kam punuar në sektorë të antikrimit, sidomos në sektorin e antidrogës. Ky është një sektor që godet persona nga më të thjeshtët deri te më të rëndësishmit dhe prish biznese të mëdha të jashtëligjshme. Megjithatë, këto biznese nuk janë goditur nga unë që kam qenë një punonjës policie, por nga ligji, unë thjesht kam zbatuar ligjin dhe detyrën që më ishte dhënë, prandaj shpresoj që shteti të dokumentojë këtë ngjarje dhe autorët t’i dërgojë para përgjegjësisë ligjore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›