E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani dhe Islami pritet diskutimi per perjashtim nga grupi i PS-se

Kastriot Islami dhe Andis Harasani, pritet të jenë në qendër të një diskutimi për përjashtimin e tyre në kongresin e nëntorit.

Premisat e këtij debati duken tashmë nga prononcimet e deputeteve të tjerë socialistë në media.

Deputeti Artan Gaçi, gjatë një interviste për “Gazetën Shqiptare” ka bërë thirrje për largimin e dy deputetëve socialistë nga radhët e grupit.

Duke folur për Harasanin dhe Islamin, Artan Gaçi thotë se dy deputetët “Kanë thyer bojkotin, nuk kanë marrë pjesë në protesta e kanë dalë kundër grevës së urisë të mbështetur nga qindra mijëra shqiptarë”.

“Për më tepër, - vazhdon deputeti socialist, - kemi parë një mosangazhim total të tyre gjatë gjithë fushatës së 2011, ku ishin të vetmit deputete të PS-së që nuk mbuluan asnjë zonë elektorale.

Për mendimin tim, do të ishte e pamoralshme që ata të vazhdojnë të ulen në tavolinën e grupit parlamentar”, -përfundon ai.

Në anën tjetër, deputeti Andis Harasani kujton se ka qenë ai vetë që e ka mbështetur futjen e Artan Gaçit në listën e deputetëve socialistë.

Harasani thekson se mendimi i deputetit Artan Gaçi do të ishte i pranueshëm, nëse ai edhe në publik do të fliste ashtu siç mendon dhe flet në biseda private.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, ishin të pranishëm edhe deputetet Kastriot Islami dhe Andis Harasani.

Me mbylljen e fjalës së kryetarit Edi Rama, u mbyll edhe mbledhja e grupit të deputetëve socialistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›