E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i kujtesës



Nga Sami Neza

Ndoshta edhe 20 shkurti i këtij viti do të kishte kaluar si një përkujtim i zakonshëm i atyre ditëve historike për Shqipërinë, po të mos kishte ndodhur që pak ditë para këtij përvjetori, Gjykata Kushtetuese të kishte bllokuar ligjin për lustracionin.

Më shumë se çdo herë tjetër, 20 shkurti i kësaj radhe ka zënë vend në media dhe institucione, dhe, pavarësisht ngjyrave me të cilat është veshur rrëzimi i bustit të diktatorit në sheshin “Skënderbej”, thelbi i tyre ka qenë nevoja për kujtesë dhe konsolidimi i saj.

Mjaftoi një pickim i fortë i atyre strukturave të vjetra mbi memorien e qytetarëve shqiptarë për të rilançuar sërish suksesin historik të qytetarëve e studentëve të Tiranës, opozitës së atëhershmen në shkurt të 1991-shit. Dikush nga mospajtimi me bllokimin e ligjit dhe dikush krejt spontanisht, bile edhe kur heshtin, na kujtuan ne të gjithëve se sa vështirë do të jetë për ish-nomenklaturën të cenojnë ngjarjet simbole, por edhe kujtesën në tërësi të një vendi.

Të binte në sy dje se drejtuesit socialistë kishin shkuar në fshat, atje ku çdo lloj jehone vjen vonë dhe për më shumë mund të fshihesh prej jehonave të llojit të 20 shkurtit. Ata nuk qëndruan në Tiranë, bile nuk kanë dalë as në sheshin “Skënderbej”. Edi Rama gjeti një fshat të largët për të zvogëluar sa të ishte e mundur kontaktet me përkujtimin e kësaj dite, e bashkë me të edhe përkujtimin e vuajtjeve të mëdha të shqiptarëve nga komunizmi. Por më shumë se largimi prej përvjetorit, ishte nevoja për largim nga kujtesa. Edi Rama e ka të qartë se kujtesa është një bonus elektoral për mazhorancën, dhe një minus që në start për të majtën e aq më shumë për lidershipin e PS-së. Sa më shumë të shterojë kujtesa, aq më tepër krijohen hapësira për ish-nomenklaturën, e cila përveç nevojës për pushtet, përfaqëson edhe nevoja të tjera siç është ndarja prej kompleksit të fajit.

20 shkurti është një prej ditëve të rëndësishme të atyre muajve të parë të demokracisë. Por, ajo dhe ditë të tjera që lidhen me rrëzimin e regjimit komunist rikthehen më me forcë te qytetarët pas çdo tentativë për të sulmuar vuajtjen e mijëra e mijëra shqiptarëve nga diktatura. Është refleksi i vetëmbrotjes që kësaj radhe u aktivizua më shumë se çdo herë tjetër prej sulmit ndaj ligjit të lustracionit, e për më shumë bllokimi i tij nga institucione që buruan prej rrëzimit të diktaturës, por me njerëz të cilët ishin sfondi i bustit të diktatorit.

Mjafton vetëm të kaloje dje nëpër ekspozitën e krimeve të komunizmit për të prekur nga afër atë çfarë kanë bërë mbi të tjerët subjektet e këtij ligji. Prej aty mund të kuptoje lehtë atë që Rama e thërret politikë të re, e që në fakt është sulm ndaj kujtesës, pikërisht atë kujtesë që prodhohet përballë stendave të ekspozitës më të tmerrshme që kemi parë në Tiranë, por që deri para 18 vitesh ishte një realitet i përditshëm i mijëra e mijëra qytetarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›