E Diel, 1 Nëntor 2026

Tani po fillojmë të shesim dhe blejmë me valutë, por pa hyrë në BE!!

Nga Besi BEKTESHI
Ka ndodhur që në shumë dyqane dhe në përgjithësi rrugët e qyteteve tona, po dendësohet shitja dhe blerja me euro dhe dollarë. Janë disa shitore elektronike që nuk kanë asnjë çmim te reklamuar në lekë, por për PC dhe aksesorë të thonë vetëm çmimin e tyre në euro. Po ashtu kanë filluar disa vende tregtie të elektrove që po këtë mënyrë po ndjekin dhe si lavatriçet dhe televizorët por edhe shumë aksesorë të tjerë, po preferohen të shiten në euro dhe dollarë. Po ashtu disa dyqane që zakonisht shkruajnë Butik dhe reklamojnë mallra të markave të mëdha edhe pse mund të jenë kopje kineze dhe turke po kthejnë shitjet në valutë të huaj. Dyqan pllakash dhe infrastrukture të ndërtimit që çdo gjë e ka (shet) në valutë gjuan në çdo cep të qyteteve. Më e bukura ka qenë kur në një dyqan kozmetike edhe çmimet në shtetin shqiptar ishin të reklamuara në euro dhe për më tepër edhe shifrën në këmbim në dollarë. Librari ku shiteshin libra, revista të huaja dhe vendase kishin çmime në euro. Apartamentet në shitje të gjitha i kanë metrat katror në euro, dhe tani ka filluar edhe dollari të hyjë në lojë. Po ashtu kurset e anglishtes dhe kurse të natyrave të tjera private kanë shifrat në euro. Shkollat private dhe universitetet vitin shkollor në euro. Makinat e përdorura dhe të rejat po shkojnë drejt shitje-blerjes vetëm në valutë, kush është më e leverdishmja në kurs për momentin. Më e çuditshmja ka qenë kur te një gazetashitës tepër në humor në Shkodër, kur kërkova të blejë një gazetë dhe një revistë të cilat së bashku kushtonin 220 lekë, më thotë duke qeshur: Më jep dy euro dhe mbylle këtë hesap se më këtë ritëm që ka marrë leku në raport me dollarin dhe euron, është më mirë ti falim gazetat po vazhdoi ky çmim!! Nejse... Ne sot po "hamë" goditje me lekun në raport si me dollarin dhe euron. Dje euro është shitur afër, shumë afër 130 lekëve, dhe dollari ka shkuar mbi 103 lekët, duke bërë kështu që leku të zbythet në tendencën e tij të rënies së përgjithshme. Në këtë rast çdo gjë që blihet jashtë, preferohet të shitet me monedhën që blihet dhe në këtë rast leku është një atavizëm financiar që të bën të mendohesh kur e përdor. Ministri Bode deklaron pak ditë më përpara se është një dukuri e përkohshme dhe kursi do të stabilizohet por po ti shtosh se edhe katër ekonomitë rrethuese tokësore tonat që janë me euro si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia shumë, dhe Greqia, e prej tyre marrim dhe japin po shumë, atëherë....??? Ne kemi shitur mënd deri tani me lekun dhe qëndrimtarinë e tij të përkorë, por jemi edhe në krizë të përbotshme që edhe pse kemi informalitet të jashtëzakonshëm, nuk ka asnjë mundësi të mos ndikojë. Tani edhe emigracioni ynë i madh jashtë shtetit, po mendohet dy herë që të sjellë valutë në Shqipëri, sepse janë në hall jetese për vete. Nga të dhënat e kredive (Banka e Shqipërisë) merret vesh se 75-së për qind e tyre në biznese dhe individë është në valutë, dhe tashmë së bashku me këstin në të gjithë rastet do të paguhet edhe shtrenjtësimi në transaksion i kursit dhe kjo është tepër e rëndë. Nuk jemi në krizë....?!!!
Jemi dhe si çke me të, dhe kemi përpara edhe zgjedhjet e qershorit kur gjithkush mendohet shumë të blejë apo të investojë nga një farë mënyre, pasiguria dhe paqartësia politike. Ka një veçori, sepse zhvlerësimi i monedhës kombëtare teorikisht duhet të nxisë investimet me të dhe hapjet e bizneseve të reja sepse kushton më pak, por në frymën e krizës dhe ndikimit madhor që ka është ulur ndjeshëm, kjo iniciativë. Thithja e kapitalit të huaj perëndimor nuk mund të bëhet aq kollaj, sepse aty po shkurtohen shpenzimet dhe po largohet njerëz nga puna dhe nuk mendojnë kaq shumë për ekspansion financiar dhe kapital, nga që janë në ceitnot ekonomik të dukshëm. Atëherë??! Normal që vazhdimi i lekut në këtë rrugë, do të krijojë situata të vështira ekonomike dhe të parat janë shtresat e ulëta që fillojnë me të papunët dhe pensionistët, me rrogëtarët e vegjël dhe të gjithë sistemin e fshatarësisë që përbën pastaj pak më vonë krizën më të madhe, në qoftë se gjithmonë nuk dihet sa vazhdon kjo rënie e lekut, apo monedhës kombëtare.
Po ti shtosh pastaj të gjithës edhe spekulimin si në rastin e gazetashitësit, atëherë merret vesh se jemi në krizë edhe ne. Në fakt, ne nuk pyesim shumë si popull nga kriza, sepse vazhdimisht jemi në krizë edhe atëherë kur nuk ka krizë. Sepse mbas daljes nga komunizmi erdhi kriza  e parë e ballafaqimit me botën dhe konvertimit dhe fituan ato më të shpejtët, por ishte krizë. Më pas pa qenë bota në krizë ne ja futëm vetes me mbi një miliard dollarë me firmat rentiere. Pastaj u ballafaquam me spekulim dhe rimëkëmbje të të gjitha ekonomive të prishura nga 97-ta. Por në çdo moment zgjedhjesh kami pasur trandje ekonomike që nuk e kanë lënë asnjëherë të qetë buxhetin familjar.
Por edhe vonesat në integrime dhe luftërat e më vonshme apo investimet kapitale të mëdha, marrin fondet e larta të shtetit në vend që të shkojnë për mirëqenie. Borxhet në shtim të shtetit marrin një pjesë të madhe të GDP-së, sepse kanë arritur të kenë një sasi të madhe të përvitshme. Nuk ka nevojë për shumë teori dhe ekspertë të financave që të kuptosh se po na afrohet kriza në mos ka futur këmbën e djathtë për të përgatitur edhe të majtën pak më vonë. Ndjehet për ditë në pasigurinë për të blerë, ngurrimin për të investuar dhe për të bërë plane. Ajo ndjehet në goditjen që marrin marrëdhëniet me botën perëndimore në blerje dhe shitje apo edhe në pasigurinë për të pasur iniciativa të investimeve të një profili të lartë. Po, bëjnë dallim iniciatorët që kanë pas segmente qeverie apo politike si në njërin krah dhe tjetrin, që dinë se çfarë bëjnë dhe se ku shkojnë edhe në kohë të tilla të rrezikshme. Po të tjerët? Atëherë njerëzit i bien për shkurt kur shikojnë se leku po shkon në the-qafje dhe fillojnë e rregullohen, duke shitur dhe blerë me valutë. E kanë kollaj, sepse çmimin e vendosin me euro dhe dollarë dhe kur ti i thua nuk kam valutë, ai të bën llogarinë aty për aty me kursin e ditës dhe mundësisht të orës dhe ta kthen në lekë. Ndërkohë ti ke pësuar rritje çmimi. Po kjo është krizë??? Ndoshta specialistët e lartë të financave nuk e pranojnë, por kuleta e një pensionisti, apo studenti dhe po ashtu të sëmuri dhe hallexhiu po. Aq më keq, kur edhe në një farmaci, një i pa shpirt aty, po arrinte të bënte lojë valutë-lekë, me ilaçet që shiste. Ëëëë... jemi apo nuk jemi në krizë???!! Tani duan të gjithë të shesin, por nuk ka shumë që të blejnë.
Kanë filluar edhe shembujt e shoqërimit me disa elementëve të tjerë, në shërbim të shitjes së elementit kryesor. Në Kansas Sity në një tentativë të dëshpëruar të shitjes së një shtëpie, lajmërimi deklaronte se së bashku me shtëpinë shitet edhe frigoriferi, lavatriçja, kuzhina. Edhe lojërat në kopsht, por edhe varka diku në ndonjë liqen apo garazh me çmim të të gjithave prej 129.950 dollarë. Tani shitësit e makinave të përdorura të thonë blejë makinën dhe ti bëjmë ne dokumentet, ke edhe një kasetofon rezervë dhe dy goma të reja në portobagazh, por edhe një pupac të bukur brenda, së bashku me fshirëset e xhamave të reja dhe po ashtu dy aroma të reja dhe një kit çelësash të rinj në kuti.
Në fakt ja vlen ta blesh sidomos kur kanë atë pupacin brenda, që të kujton gjithmonë se është rritur kultura e shitjeve. Kaq i bukur ishte njëri prej këtyre "kupacëve" ( për makinë femrash përdoret zakonisht) sa kur një tregtari të tillë ju kërkua tja shisnin u përgjigj: Me gjithë qejf ta shes, por do e blesh me gjithë makinën.

Last Updated on Friday, 20 February 2009 13:12

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›