E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhet anëtari i ri KLD, Zaganjori: Gjyqësori duhet të krijojë një imazh të ri

TIRANE- Çeli sot punimet në Tiranë, Konferenca e Gjyqësore e cila pritet të zgjedhë dhe anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Xhezair Zaganjori, Kreu i Gjykatës së Lartë në fjalën e tij, si drejtues i kësaj konference tha se gjyqësori duhet të krijojë një imazh të ri.
Sipas tij, “sistemi gjyqësor përballet me shumë probleme, si nevojën e përfundimit të reformës të organizimit të sistemit gjyqësor, sidomos administrimit të çështjeve administrative, duke rritur transparencën si dhe forcimin e luftës ndaj korrupsionit”.
“Drejtësia, nënvizoi Zaganjori, nuk mjafton të jepet për palët, por ajo duhet të përçohet tek publiku edhe si mesazh, ajo duhet të ketë edhe një rol edukativ në shoqëri”.

Zaganjori gjithashtu foli dhe për arritjet e sistemit gjyqësor. “Në progres-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë për vitin e kaluar theksohet se ka arritje lidhur me paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqësorit, shtoi Zaganjori. Po ashtu, vlerësohen rregullat e reja të vendosura për transferimin e gjyqtarëve mbi bazën e meritave dhe kritereve ë tjera objektive për vlerësimin e tyre”, theksoi Kreu i Gjykatës së Lartë.
Gjatë konferencës që po zhvillohet në Tiranë, pjesë e rendit të ditës është dhe plotësimi i vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. 

Për këtë vend vakant, pranë KLD-së, kanë shpallur kandidaturat e tyre 2 gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë, nga gjykatat e apeleve, të cilët do të zgjidhen nga kolegët e tyre për një mandat 5 vjeçar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ata janë: Gjin Gjoni, Gjykata e Apelit Tiranë dhe Genti Shala, Gjykata e Apelit Tiranë.

Nga konferenca gjyqësore zgjidhen pjesa më e madhe e anëtarëve të KLD-së. Pak vite më parë, konferenca nuk mblidhej, për shkak të vakancës në ligj, çka atë kohë krijoi dhe jo pak probleme në zëvendësimin e emrave në "qeverinë" e gjyqësorit. Por pas shumë debatesh dhe kundërshtish, gjykatësit vendosën të mblidhnin konferencën dhe të votonin përfaqësuesit e tyre në KLD.

(e.m/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›