E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Ne po i kthejmë rrugët Tiranës

TIRANË-Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kandidate e PD-së për deputete në zgjedhjet e 23 qershorit si dhe Kryebashkiaku Lulzim Basha, kanë zhvilluar një takim me banorët e Njësisë Nr 9 në kryeqytet.

Në rrjetin social “Facebook”, Bregu bën të ditur se në takim u diskutua për ndryshimet e mëdha që do të ndodhin në këtë zonë prej projektit madhor, që në fakt do të ndryshojë jetën e gjithë Tiranës, zgjatimi i Bulevardit Zogu I.

“Ndërsa puna ndjehet kudo në rrugët e rrugicat e kësaj zone, të cilat ish- kryetari i Bashkisë i kishte lënë në pikë të hallit. Por s’ka më bllokim për Tiranën e as për njësinë Nr 9. Me fondet e Bashkisë ka përfunduar tashmë ndërtimi i rruges tek Filanto”, shprehet ajo.

Bregu bën të ditur se po punohet intensivisht për rikonstruksionin urban të bllokut 53 dhe bllokut 46, ndërsa pothuajse ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës "Mahmut Fortuzi", dhe është në fazën e asfaltimit përfundimtar.

Ajo shton se po punohet për rregullimin e trotuareve në rrugën "Siri Kodra", ashtu siç po punohet dhe në rrugën e "Dibrës”, për ndërtimin e segmentit të kryqëzimit ish- kombinati "Josif Pashko"-ish- Uzina Dinamo e re, apo dhe për trotuaret e rrugës “Mine Peza", etj.

"Janë shumë e do ketë edhe shumë të tjera. Sepse për fat të keq Edi Rama e kishte braktisur këtë qytet, në çdo cep të tij. Ne po i kthejmë rrugët Tiranës dhe do të vazhdojmë deri edhe në rrugicën më të fundit”, përfundon Bregu.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›