E Hënë, 2 Nëntor 2026

Harram, Fatime, buka që na dhe!!!

Tronditesh e tmerrohesh në mëngjes, kur sheh në faqe të parë të gazetës, dhe mëson se është masakruar dikush që në darkë e ke parë të gjallë! Kështu u ndjeva ndërsa po lexoja për një ngjarje makabrre, që nuk duhet të hidhërojë vetëm një familje, por një shoqëri të tërë të cilës i është vrarë një individ i pafajshëm. Fatime Kasemi, gruaja emrin e së cilës e mësova veçse dje në mëngjes, jetonte duke bërë një punë mëse të ndershme dhe të fisme; u pëgatiste për të ngrënë njerzve, në një lokal të ushqimit të shpejtë (Fast Food), pikërisht në kryqëzimin te Ura e Elbasanit (pikëprerja e kësaj rruge me Unazën). Jo pak herë, personalisht e kam parë në orët e vona të natës duke u shërbyer qindra vetëve, që nga punonjësit e vonë si puna ime e hallexhinjtë, e deri tek aventurierët e natës, të pirët, të pastrehët!

Jo pak herë, personalisht kam marrë prej duarve të saj, sanduiçin me dopio djathë, për vete apo shokët e mi! Ndërsa e sheh foton e saj në faqe të parë, e mëson se 10 thika ia kanë shkatërruar trupin, ndien faj! Ndien dhimbje gjer në egërsi për një njeri mbi të gjitha, hallexhi, që punonte me 3 turne për të mbajtur familjen, dhe për të gëzuar atë pleqëri që do t`i vinte me nipat e mbesat! Por nuk qe e thënë! Monstrat që ne kemi prodhuar në këta vite, halabakët, rrugaçët, të droguarit, pijanecët po e godasin shoqërinë aty ku askush s`godet, po qëllon gratë, motrat e nënat tona! Po i masakron rrugëve për 200 lekëshin që ato mbajnë në çantë, po i përgjakin nëpër shtëpi e po u thyejnë turinjtë (rasti i Shkodrës), vetëm e vetëm për 5 pare të qelbura!

Deri ku do shkojë kjo shoqëri? Dhe sa më poshtë duhet të biem që dikush të vërë alarmin? A nuk është kuja e familjes së Fatimes një alarm, një paralajmërim se ajo që i ndodhi asaj, mund t`i ndodhë gjithëkujt nga ne, çdo natë që dalim nga puna e shkojmë te të dashurit tanë në shtëpi? Kush më garanton mua se ndyrësirat që mbushin cepat e rrugëve, jashtëqitja e kësaj shoqërie, nuk do na shkaktojë edhe gjëma të tjera si kjo?

A mjafton kapja e dy monstruozëve, dhe dhënia e një dënimi që s`do jetë më i madh se 25 vjet heqje lirie? E çfarë zgjidh kjo? Asgjë. Ndonjë amnisti do t`i falë ata pas 10 vitesh, dhe në moshën 30 vjeçare “adoleshentët” e sotëm, do të dalin më të përgatitur nga burgu e do t`i kthehen krimit të organizuar! Këtu lind edhe pyetja: A është e drejtë që është hequr dënimi me vdekje? Unë them se pas këtyre rasteve, duhet menduar dy herë për mungesën e këtij dënimi, i cili vë në vend drejtësinë e munguar!

Shoqëria jonë do vazhdojë të prodhojë monstra, që vrasin gra e fëmijë rrugëve, për aq kohë sa arsimi nuk është kryefjala e zhvillimit të vendit. Për aq kohë sa edhe ne si shoqëri nuk bashkëpunojmë me policinë, duke i etiketuar ata që bashkëpunojnë si spiunë, do të kemi probleme të mëdha që do t`i kthehen si bumerang familjes, vlerave dhe sigurisë sonë. Por mbi të gjitha, të gjithë duhet të shkollohen , por jo vetëm kaq, por edhe të edukohen!

Kam vënë re disa prindër që të ngarkuar më shumë se çduhet nga emocionaliteti i dashurisë për fëmijën, janë qarë për disiplinën e fortë të disa shkollave private në Shqipëri! Në një shoqëri ku vlera është bërë anti-vlerë, ku halabaku bëhet personazh televiziv, e të nesërmen arrestohet, nuk gjen vend për disiplinë! Dhe ajo është mëse e domosdoshme për të rinjtë, e kush e paralelizon me disiplinën e kohës së komunizmit, bën një gabim shumë të madh, pasi vendet demokratike, (SHBA Britania e Madhe , Franca etj) janë etalonët e disiplinës, që nga politika, ekonomia, ushtria, arsimi etj.

E dyta, strukturat e policisë, kanë pjesën e tyre në “mbrritjen të fundit në skenën e krimit”! Në çdo vend, policia duhet të jetë më e informuara për atë që ndodh, e aq më tepër kur bëhet fjalë për Tiranën, duke mos luajtur me faktin që “30 persona u ndaluan” por që ditën tjetër merr vesh se asnjëri prej tyre s`qenkesh krimineli! Puna primare e policisë është të prandalojë, e jo të bëjë hamendësime që shpërndahen edhe për mediat!

Fatkeqësi është që edhe shtypi, publikon informacione të klasifikuara, duke publikuar edhe emrin e një dëshmitareje, madje duke dhënë edhe adresën e punës së saj! Kjo është t`i thuash atyre që vranë Fatimen : “bujrum ja ku e keni, vriteni edhe këtë”! Informimi im dhe i çdo qytetari tjetër është i rëndësishëm, por edhe më e rëndësishme është kapja e kriminelëve dhe vendosja e drejtësisë në vend dhe mbi të gjitha askush të mos lëndohet më!

Këto tjerr në mendje, ndërsa lexoj gazetën e mëngjesit sëbashku me një kafe që tashmë i ka ikur shija. Në qiellzë kam shijen e sanduiçit me dopio djathtë që Fatimja e mirë bënte me duart e saj te Rruga e Elbasanit, dhe me duket se një dorë më zë prej fyti duke më thënë se edhe unë jam fajtor për vdekjen e dhimbshme të saj!

*Zv/Kryeredaktor i Lajmeve në TVSH

Botuar ne gazetën Albania!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›