Leksione europiane për të paintegruarit
Kur bëhet fjalë për integrim të Shqipërisë në BE shqiptarët nuk të falin, pavarësisht se thuajse nuk e njohin këtë çështje të koklavitur. Përvetësimi i koncepteve dhe termat, sidomos arritja e standarteve, duket qartë se është një punë e gjatë dhe e lodhshme për një vend që po kalon nga tranzicioni logjik në kriza të ndjeshme politike e ekonomike. Nëse standartet për hyrjen në Bashkimin Europian duhet t’i njohin dhe t’i zbatojnë të parët punonjësit e institucioneve publike, të cilët kanë përgjegjësi direkte për kërkesat e MSA-së, ata as që nuk e njohin fare këtë marrëveshje.
Një raport i publikuar së fundmi nga Ministria e Integrimit tregon se punonjësit e institucioneve të pavarura kanë nivelin më të ulët të njohurive rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ky është një perceptim problematik po të kemi parasysh se bëhet fjalë për pjesëtarë të administratës lokale, të institucioneve të pavarura dhe gjyqësorit, sektorë kyç në procesin e integrimit. Këta sektorë jo vetëm ndikohen nga procesi i integrimit, por edhe përcaktojnë ritmet e këtij procesi me aktivitetin e tyre të përditshëm.
Ironia vijon të tejzgjatet kur raporti cilëson si problematike shkallën e lartë të të intervistuarve, të cilët nuk dinin akoma në ishte firmosur apo jo Marrëveshja. Ndonëse shumica dërrmuese e të intervistuarve ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e MSA-së, një përqindje e vogël ishin të informuar në lidhje me faktin se MSA është një kontratë mes Shqipërisë dhe BE-së. Madje nuk kanë njohuri rreth procesit të ratifikimit të marrëveshjes që është procesi i miratimit të saj nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Madje shumica e të intervistuarve kanë treguar nivel të ulët informacioni edhe për shtete që janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Në këtë studim janë parashikuar dhe çështjet mbi të cilat duhet të rritet informacioni për secilin prej sektorëve. Duke parë këtë nivel skandaloz dijesh, për sa i përket punonjësve të gjyqësorit, Ministria po përqendrohet në një fushatë ndërgjegjësimi dhe informimi rreth vendit që MSA zë në legjislacionin shqiptar dhe dimensioni juridik i kësaj marrëveshjeje. Ndërsa punonjësit e administratës lokale po marrim më shumë informacion rreth ndikimit që ka procesi i integrimit të Shqipërisë në BE në procesin e decentralizimit të vendit dhe marrëdhëniet pushtet qendror dhe pushtet vendor. Për punonjësit e institucioneve të pavarura që kishin dhe nivelin më të ulët të njohurive më parë, parashikohet që të marrin njohuritë fillestare rreth MSA-së. Projekti që nxjerr në dritë këto fakte që sjellin një realitet aspak të këndshëm për inegrimin ka filluar në një kohë kur ministria ka deklaruar se po harton një seksion për sa i përket legjislacionit për komunikimin me publikun, dhe një prej qëllimeve është që të ofrojë kapacitetin teknik dhe ekspertizën në këtë sesion të ri, me synimin për të thithur opinionin dhe për të krijuar një lloj strategjie komunikimi me BE-në.
Bashkë me dëshirën e mirë për t’u bërë pjesë e familjes europiane nuk mungojnë edhe rrisqet, për të cilat do të duhet kohë, mundim dhe durim spartan për t’i kapërcyer. Faktikisht kjo periudhë, deri në integrimin e plotë në strukturat europiane është një bankoprovë e vështirë për shqiptarët. Këtu përfshihen të gjitha nivelet duke nisur nga politika, së cilës i kërkohet konsesus dhe stabilizim në emancipim. Ky term nuk është nënvizuar në asnjë akt të marrëveshjes, por domethënia ka qenë pikërisht kjo: emancipim i plotë i politikës dhe aktorëve të saj të cilësdo ngjyre. Në epokën e tranzicionit tonë, skena politike ka qenë në të vërtetë ngërçi më i madh i tejzgjatjes së integrimit. Europianët jo më kot kërkojnë emancipim të gjithanshëm të saj sepse ajo është leva lëvizëse e ingranazheve të tjera të shoqërisë.
Duket e çuditshme, por shoqëria jonë ka nevojë për t’u bërë pjesë integrale e një tjetër mendësie të të konceptuarit të gjërave. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të zhvishemi nga zakonet dhe traditat apo mendësitë karakteristike kombëtare. Kurrësesi! Por kërkohet ky ndyshim në disa fenomene të cilat kanë depërtuar në mënyrë brutale duke u adoptuar keqazi nga jashtë. Marrim një aspekt shumë të prekshëm, zbatimin e ligjit. Edhe pse ky fenomen duket se është me shqetësues në strukturat drejtuese, realisht ai është injektuar në çdo qelizë të jetës sociale. Mund të jenë të rralla rastet kur veprohet sipas ligjit në çdo aspekt. Kjo sjell rrjedhimisht edhe të tjera probleme si përfishirje në korrupsion, trafik njerëzor apo lëndëve narkotike, pastrim të parave të pista. Vlen të theksohet se këto fenomene negative nuk janë thjesht pjesë e kupolës, por janë shtrirë në mënyrë të ndjeshme edhe në bazë. Madje shoqëria jonë i ka pranuar në heshtje, një pjesë është bërë pjesë e saj, ndërsa shumë pak është bërë për të denoncuar dhe goditur praktikantët e tyre. Megjithatë nuk do të mjaftohej me kaq, sepse ndryshimi i mentalitetit duhet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e shoqërisë civile. Është e vërtetë që sistemi aktual politiko-ekonomiko-social është shprehje e tranzicionit dhe varfërisë së theksuar, papunësisë, emigracionit në rritje etj. Integrimi nuk mund të konceptohet me këtë atmosferë, ndaj edhe ndodhemi në një bankoprovë serioze që na kushtëzuar komuniteti ndërkombëtar. Bashkimi Europian dhe të gjitha shtetet përbërëse të tij e kanë hapur rrugën për vendin tone. Por kushtet janë shumë të forta dhe për disa vjet do të duhet të jemi në një sprovë me vetveten.