E Diel, 1 Nëntor 2026

Harram!

Riad, menaxherja rrezikon jetën vetëm se piu kafe me kolegun

Një grua me kombësi amerikano-saudite rrezikon jetën, pasi “u kap në flagrancë” duke pirë një kafe me një koleg në një kafene “Starbucks”, në Riad të Arabisë Saudite. 37-vjeçarja Jara, nënë e tre fëmijëve, menaxhere në një shoqëri financiare, është e detyruar të jetojë përgjithmonë e mbyllur në shtëpi dhe ka frikë për jetën e saj. E lindur në Libi, por e rritur në Utah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jara ishte mësuar me zakonet perëndimore dhe nuk u mendua shumë për të hyrë në kafenë që ndodhej pikërisht poshtë zyrave të punës, thjesht për të biseduar me kolegun, pasi kishte ikur energjia elektrike dhe nuk mund të përdorte laptopin. Siç raporton agjencia “Arab News”, e veshur me abaje tradicionale (pardesy e gjatë e zezë) dhe me ferexhenë në kokë, ajo nuk kishte asnjë qëllim të keq, përveçse të pinte një kafe me kolegun e saj të punës. Por brenda pak minutash, një telefonatë anonime në Komisionin e Promovimit të Virtyteve dhe Parandalimit të Vesit solli policinë fetare, e cila i dha start dramës së radhës saudite. Një burrë me mjekër ushtroi presion mbi kolegun e saj sirian, që ai të dilte nga kafeneja, dhe me të dalë jashtë iu vunë prangat. Ndërsa Jarën e detyruan të firmoste pranimin e krim-mëkatit. Gruaja nuk di të lexojë arabisht, dhe e firmosi letrën pa e ditur se për çfarë bëhej fjalë realisht, me shpresën që ta linin të qetë. Por ndodhi krejt e kundërta. Policët e morën zvarrë në një taksi dhe e dërguan në stacionin qendror të “Mutawas” (policia fetare). Agjencia raporton se policët nuk e lejuan Jarën t’i telefononte të shoqit dhe e keqtrajtuan për 6 orë, përpara se bashkëshorti sirian të vinte në Riad për ta shpëtuar. “Një histori e tmerrshme, me abuzimet që kryen policia fetare, e cila mbrohet nga lart dhe bën si padrone, veçanërisht në Riad”, - shprehet Khalid Al Maeena, drejtori i të përditshmes “Arab News”, i vetmi i cili po ndjek çështjen e Jarës ditë pas dite, me një liri relative kritike, edhe pse në gjuhën angleze. Natyrisht, gazetat arabe kanë raportuar shumë më pak për këtë histori, megjithëse kjo nuk ka penguar komisionin të ngrejë padi ndaj disa editorialistëve të gazetës “Al Watan”, e cila ishte e para që e përshkroi rastin si rrëmbim, duke vënë në dyshim interpretimin e “Mutawas”.  Pas shumë kritikash nga mediat dhe organizmat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e OKB-së, komisioni kaloi në kundërsulm, duke përgënjeshtruar ngjarjen me këto fjalë: “Është një mëkatare dhe ka thyer ligjin. Të punosh së bashku është haram dhe ndalohet për burrat dhe gratë që nuk janë të afërm”. Ndërsa Jara ka vendosur të heshtë dhe betohet se nuk do të vërë më kurrë këmbë në Riad. Ajo kërkon të kthehet me shpejtësi në SHBA, pasi mendon se jeta e saj është në rrezik, duke pasur parasysh që ngjarja tashmë ka marrë dhenë. “Kemi frikë për jetët tona dhe nga ndonjë persekutim i mëtejshëm”, - thotë i shoqi, pasi tani shumë sauditë janë xhindosur nga kjo histori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›