E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, troket rritja e çmimit

Çmimi i naftës në bursë arrin 101 dollarë fuçia. Në vend pritet rritje çmimesh me 5 lekë

Pas rritjes së çmimit të bukës dhe energjisë, ja ku po troket edhe rritja e çmimeve të karburantit. Për herë të parë, në bursat e huaja një fuçi naftë është shitur me 101 dollarë, dhe situata për rritjen e çmimit të naftës pritet që shumë shpejt të përcillet edhe në tregun vendas. Pra, e thënë ndryshe, në rast se çmimet e naftës në bursat e huaja vazhdojnë të shënojnë rritje mbi 100 USD për fuçi, sipas grosistëve, rritja në tregun vendas mund të jetë rreth 5 lekë për litër. Në vazhdim të kësaj situate pritet që nafta D2 në tregun vendas shumë shpejt të ketë një çmim prej 145 lekësh për litër, nafta eurodiesel 150 lekë për litër dhe benzina po 150 lekë për litër. Aktualisht në vend nuk ka ndryshime të shitjes së çmimit të naftës, por shoqata e hidrokarbureve të naftës paralajmëron se në vijim të kësaj situate pritet të ketë reagime në treg. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Viktor Nushi, që prej dy javësh në bursat e huaja ka pasur rritje të çmimit të naftës, por në treg nuk ka pasur asnjë reagim. Shkaku i mosndryshimit të çmimit mbeten rezervat e naftës me të cilat po punojnë importuesit. Pra, shumë shpejt situata pritet të ndryshojë. Në rast se bursat e huaja do të vazhdojnë të shënojnë rritje të çmimit të naftës, i menjëhershëm do të jetë edhe reagimi në tregun vendas. Duke qenë se çmimet e naftës po ankorohen në mbi 100 USD për fuçi, atëherë rritja në tregun vendas do të jetë e pakontrolluar. E vetmja arsye e cila po mban të frenuar grosistët vendas, janë rezervat e naftës me të cilat ata po punojnë, që të përfundojnë shumë shpejt. Po ashtu, nga grosistët mësohet se çmimi i shitjes së naftës së përpunuar prej javësh ka shënuar rritje. Sot, çmimi i naftës së përpunuar është 920 dollarë për ton. Në krahasim me ditët e mëparshme, çmimi i naftës së përpunuar është rritur me 80 dollarë për ton. Por në këtë situatë sërish nga ana e grosistëve kërkohet qeveria të ndërhyjë në uljen e barrës fiskale, një faktor kjo e cila do të ndikonte në uljen e çmimeve. Për shumë specialistë të bursave ndërkombëtare, çmimi 100 dollarë për fuçi nuk është një limit që nuk mund të tejkalohet. Moti i keq në Amerikë si edhe trazirat në shumë vende që njihen si burimet kryesore të ofertës së naftës në botë, mund ta shtyjnë çmimin drejt nivele të reja. Për sa i përket ekonomisë shqiptare, megjithëse ajo nuk paraqet një varësi të madhe ndaj karburanteve, efektet zinxhirë janë të pashmangshme. Rritja e kostos së prodhimit që vjen si rezultat i shtrenjtimit të naftës në tregun vendës, mbetet e pashmangshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›