E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia shfryn

Ambasada amerikane në flakë

Beograd: Serbët i vënë zjarrin ambasadës amerikane

“Kosova është Serbi”. Duke bërtitur këtë slogan, dhjetëra mijëra serbë zbritën dje pasdite në sheshin e Beogradit së bashku me kryeministrin Voisllav Koshtunica, për të protestuar kundër shtetit të ri të Kosovës. “Kosova i përket Serbisë, popullit serb. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë”, - tha kryeministri serb para turmës së manifestuesve, që sipas qeverisë së Beogradit ishin rreth 500 mijë. Vetëm pak minuta pasi nisi manifestimi, rreth 300 serbë të maskuar dhe me ngjyrat ultranacionaliste sulmuan ambasadën amerikane, e cila ishte boshatisur disa ditë më parë. Protesta e dhunshme nuk ishte gjë tjetër, veçse një shfryrje e impotencës serbe përballë faktit të kryer, pra pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga fuqitë më të mëdha perëndimore. Sipas “Associated Press”, protestuesit u futën brenda ambasadës dhe u vunë zjarrin zyrave brenda ndërtesës. Duke shfrytëzuar rezistencën e dobët të policisë, serbë të maskuar u futën në godinë, e cila u evakuua këtë javë, duke shkatërruar gjithçka që 7gjenin përpara. Ata hodhën mobiliet e zyrave jashtë dritareve, ndërsa ndërtesa digjej nga flakët. Dhjetëra zjarrfikës mbërritën më pas në vendngjarje dhe vetëm një orë më pas arritën të shuajnë zjarrin. Të gjendur përpara një turme “të tërbuar”, autoritetet zbarkuan me autoblinda dhe sulmuan turmën me gaz lotsjellës, derisa protestuesit u shpërndanë nëpër rrugë, ku vazhduan përleshjet me policinë. Nga Uashingtoni, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shteti,t Shon MekKormak, i bëri thirrje qeverisë serbe të ndërhyjë menjëherë për të mbrojtur ambasadën amerikane. Ai tha se ambasadori amerikan ndodhej në shtëpinë e tij, dhe në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët në SHBA. Mediat serbe raportuan gjithashtu, se dy restorante të rrjetit “Mekdonald’s”, si dhe filiali i një banke dytësore dhe të grupit italian “Unicredit” u sulmuan dje gjithashtu, gjatë protestave të dhunshme të serbëve. Sipas tyre, veç ambasadës amerikane, grupe serbësh sulmuan dje edhe seli të tjera diplomatike të atyre vendeve që kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës, atë të Turqisë, Belgjikës, Kroacisë dhe Kanadasë. Nga ana tjetër, qeveria e Sllovenisë, presidentes së radhës së Bashkimit Evropian, nisi dje procedurat për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Lubjanës i kërkoi parlamentit të aprovojë kërkesën e saj për njohjen e shtetit të ri ballkanik. Sipas mediave sllovene, pritet që ligjvënësit të konfirmojnë propozimin e qeverisë, në seancën e tyre të radhës pas tri ditësh. Sllovenia do të jetë kështu e para nga ish-republikat jugosllave që do të njohë pavarësinë e Kosovës, që u shpall të dielën nga liderët shqiptarë në Prishtinë. Po dje, Italia fqinje njohu Republikën e Kosovës pas vendimit të qeverisë në Romë. Ashtu si edhe me shtetet e tjera, Beogradi reagoi menjëherë, duke tërhequr ambasadoren e vet nga Roma. Po dje, shtetin e ri të Kosovës e njohën Estonia, Danimarka dhe Malajzia, duke shtuar kështu numrin e vendeve që kanë njohur deri tani Kosovën e pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›