E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia kritikon BE-në

Kremlini

Shefi i diplomacisë ruse lëshoi dje kritikën më të fundit të Moskës ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Rusia vazhdon të përsërisë vetveten, duke lëshuar deklarata të njëpasnjëshme kundër mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë. Shefi i diplomacisë ruse lëshoi dje kritikën më të fundit të Moskës ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke kritikuar misionin civil të BE-së në shtetin e ri ballkanik. Sipas tij, ky mision dhunon ligjin ndërkombëtar, pasi nuk ka aprovimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lavrov u shpreh se ky mision dhunon rezolutën e Këshillit të Sigurimit, që bën thirrje për zgjidhjen politike të konflikteve në Ballkan. Rusia është e vetmja aleate e Serbisë, në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të mos lejuar Kosovën, që të ecë përpara drejt së ardhmes së saj si një shtet më vete. Autoritetet në Beograd vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën, që tashmë është një shtet i pavarur, krahinë të Serbisë. Vetëm një ditë më parë, presidenti serb Boris Tadiç bëri thirrje t’i jepet fund dhunës. “Vetëm paqja dhe lëvizjet e arsyeshme na japin mundësinë të mbrojmë Kosovën tonë me argumente më të mira, pasi dhuna po na i heq këto argumente nga duart dhe na dëmton më shumë”, - tha Tadiç, duke iu referuar protestave të dhunshme të këtyre tri ditëve në Beograd dhe veri të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›