E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Meta iu rikthye lojërave të vjetra

Edi Rama

Kjo nuk është koha e llogarive të vogla partiake dhe e lojërave të vjetra politike, por e ndërtimit të një politike të re të qytetarëve të tradhtuar 17 vjet nga politika e politikanëve"

Ilir Saqellari Kryesocialisti Edi Rama ishte mjaft i kujdesshëm dje ndaj qëndrimit të LSI-së, duke mos bërë akuza politike personale, që sipas tij do të ishin rikthim tek politika e vjetër. Ndryshe nga LSI-ja, që u shkëput nga koalicioni duke akuzuar PS-në, lideri i së majtës jo vetëm që përdori të njëjtin ton, por vuri theksin se nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri. “Kjo nuk është koha e llogarive të vogla partiake dhe e lojërave të vjetra politike, por e ndërtimit të një politike të re të qytetarëve të tradhtuar 17 vjet nga politika e politikanëve. Mua më vjen sinqerisht keq, që miku im Ilir Meta iu kthye një loje të vjetër, që s’ishte as në të mirën dhe s’është as në dëshirën e njerëzve”, - nënvizoi kreu i partisë më të madhe opozitare. Gjithsesi, nën frymën e politikës së re të bashkimit, ai i bën thirrje kreut të LSI-së që të ndërrojë mendje. E në këtë moment, Edi Rama lë të hapur mundësinë e ribashkimit: “Uroj me gjithë zemër që ai ta kuptojë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të lodhur nga kjo lojë. Sigurisht që dyert tona janë gjithmonë të hapura për mikun dhe bashkëpunëtorin Ilir Meta”. Në një frymë krejt tjetër ishte qëndrimi i paradites i shprehur nga Ilir Meta, që shpërtheu kundër socialistëve. Me vendim kryesie dhe jo thjesht me deklarata mediatike, LSI-ja mban një qëndrim kundër funksionimit të koalicionit të majtë, madje bëhet iniciatore e një koalicionit të ri me emrin “E majta për integrim”. “Ndaj, në kushtet e inekzistencës dhe të prishjes së njëanshme nga PS-ja të koalicionit të vjetër opozitar, në emër të kryesisë së LSI-së iniciojmë ndërtimin e koalicionit të ri opozitar e “Majta për integrim”, i cili do të synojë integrimin dhe përfaqësimin e të gjithë kontributeve të të gjithë shqiptarëve që besojnë tek vlerat e vërteta të së majtës, progresit dhe integrimit”, - u shpreh dje Ilir Meta, ndërsa bënte të ditur vendimin e kryesisë ku sulmohej sjellja e PS-së, veçanërisht për reformën zgjedhore. Por, ashtu sikundër LSI-ja vjell vrer, edhe Skënder Gjinushi i PSD-së, i pyetur nga “Korrieri” për qëndrimin e Metës, nuk mbetet pa marrë hak. “S’ke çfarë kërcënon tani! Hyn vetëm, provon forcat e saj, por jo siç e bëri në lokalet, që thuhej “vetëm, vetëm”. Kur erdhi puna që ia deshi interesi, u bashkua. Pasi mbaron punë, del përsëri vetëm. Partitë nuk janë që, “kur është për mirë bashkohemi”, pra kur ka përfitim dhe në rastin më të parë prishemi, dhe kjo u ngjan lëvizjeve që bëjnë dhe deputetët herë pas here, gjë që nuk është e moralshme”, - u shpreh Gjinushi. Sipas tij, nuk ka asgjë të keqe nëse LSI-ja hyn e vetme në zgjedhje, por nuk duhet përsëritur strategjia e 2005-ës. “Nëse bëhet fjalë që do të ndjekë një taktikë të tillë, që meqenëse nuk merrem vesh me ju, d.m.th “për inat të sime vjehrre do të shkoj me mullixhiun”, atëherë kjo është taktikë e 2005-ës, e cila është e dënueshme”, - shton kreu i socialdemokratëve. Për kreun e LSI-së, Ilir Meta, koalicioni opozitar ka pushuar së funksionuari që pas zgjedhjeve lokale dhe për këtë bën përgjegjës PS-në, e për këtë arsye propozon ndërtimin e koalicionit të ri “E majta për integrim”. Siç ka vërejte, ka edhe nota pozitive për qëndrimin e LSI-së. “Nuk ka një koalicion. Ka pasur për zgjedhjet dhe koalicioni do të krijohet sërish për zgjedhjet e ardhshme. Koalicioni i majtë, që sot nuk funksionon, duhet të riformatohet. Pa marrëveshje për reformën zgjedhore nuk mund të ketë koalicion. Propozimi i LSI-së për koalicionin “E majta për integrim” më duket normal. Në këtë bashkëpunim ne ftojmë edhe palët e tjera, ftojmë edhe të djathtën”, - shprehet Ceka për “Korrierin”. I pyetur nëse do të ishte absurde bashkimi i partive të djathta në një koalicion me emrin “E majta për integrim”, ai përgjigjet se natyrisht emri nuk është shumë i rëndësishëm, por janë objektivat, ndër të cilat lufta për një reformë zgjedhore të sigurt. Ndërsa bën propozimin për koalicion të ri, për të cilin Ceka shprehet entuziast, LSI-ja theksoi edhe një pjesë të pakënaqësive përpara marrjes së vendimit. “Vendimet e rëndësishme për çështje madhore politike dhe të reformave janë marrë sistematikisht në mënyrë të njëanshme. Bashkëpunimi i hapur dhe luajal midis opozitës për hir të reformave madhore integruese, është kthyer në një lidhje jotransparente dhe personale mes lidershipit të PS-së dhe PD-së. Pasoja më e rrezikshme e kësaj marrëdhënieje jotransparente dhe joparimore është pikërisht shkatërrimi i reformës zgjedhore, gjoja në emër integrimit në NATO”, - nënvizoi Meta. Ai shton se në vend të konsensusit lidershipi i PS-së ka zgjedhur bojkotimin e koalicionit, ka bllokuar programin e komisionit, duke preferuar koalicionin e interesave PS-PD. Sipas LSI-së, ky fakt kërcënon demokracinë dhe stabilitetin politik të vendit, ndaj vendimi i kryesisë është në mbrojtje të votës së qytetarëve. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›