AKP, nis procesi i kompensimit
Për vitin 2008, përfaqësuesi që do të ketë të drejtën e prokurës, ka edhe të drejtën e tërheqjes së parave
Brenda një afati kohor mjaft të shkurtër, ish-pronarët do të fillojnë të dorëzojnë kërkesat për përfitim të kompensimit nga fondi prej 5 milionë dollarësh për vitin 2008. Por ndryshe nga viti i kaluar, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave ka ndryshuar procedurat për shpërndarjen e fondit të kompensimit. Burime të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pohuan për gazetën “Korrieri”, se ndryshimet konsistojnë në plotësimin e dokumentacionit, të cilat shmangin vonesat në fillimin e këtij procesi, pra duke iu përmbajtur afateve që njeh ligji 92/35, i datës 29.07.2004, “Për Kthimin dhe kompensimin e pronës”. Po ashtu, ndryshimet do të sjellin që procesi të jetë i suksesshëm. Ndryshimet në projektvendimin e AKP-së, të cilat shumë shpejt do t’i përcillen për miratim Këshillit të Ministrave, sjellin që, ndryshe nga procedurat e vitit të kaluar, ish-pronarët krahas vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave për njohjen dhe kompensimin e saj, duhet të paraqesin edhe gentplanin e pronës. Po ashtu, në formular është përcaktuar në mënyrë të qartë adresa e subjektit, si dhe të drejtat dhe detyrimet që angazhojnë ish-pronarët në këtë poçes. Element mjaft i rëndësishëm në procesin e kompensimit është edhe dëshmia e trashëgimisë. Po ashtu, me procedurat e reja, AKP-ja ka kërkuar që përfaqësuesi që do të ketë të drejtën e prokurës, të ketë edhe të drejtën e tërheqjes së vlerës financiare. Por krahas kësaj, është shtuar verifikimi pranë zyrave të kadastrës së qarkut, nëse subjekti ka përfituar tokë nga ligji nr. 7501 “Për tokën”. Në rast se subjektet kanë përfituar tokë nga ky ligj, nuk do të përfshihen në kompensim. Sakaq, pritet që shumë shpejt Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave të përfundojë krijimin e database-s me gjithë informacionin e vendimeve të marra nga viti 1993- 2007, për subjektet e shpronësuara. Në këtë mënyrë, me kompensimin monetar të vitit 2008, AKP-ja do të kryejë një punë më të mirëorganizuar, ku çdo kërkesë e ish-pronarëve do të verifikohet në database-in e agjencisë. Por ashtu, sipas agjencisë, vlera e kompensimit edhe për këtë vit do të jetë deri në 200 m2 të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim në bazë të hartës së vlerës së miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Por duke qenë se para pak ditësh Këshilli i Ministrave miratoi çmimin e tokës në disa qarqe të tjera, duke e konsideruar të mbyllur hartën e çmimit të tokës, kjo sjell që të mos ketë kufizime tek aplikuesit. Po ashtu, sipas agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, edhe për këtë vit përzgjedhja e fituesve do të jetë sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit sipas viteve. Për ato subjekte të cilët kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008.