E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harram

Edison Ypi 

Më këmbë pranë banakut po tres me lugë sheqerin e kafes. Tretjen po e bëj, si më është tekur, si më është shkrepur; me bishtin, jo me pallën e lugës. Për një ...arsye të thjeshtë; Që, gjatë trazimit, bishti i hollë ta ftohë kafen më pak se palla që është e trashë, dhe kafen ta pi sa më të nxehtë. Mirëpo, për shkak të kësaj tretjeje perfeksioniste hidrotermike, atyre që më rrethojnë, të cilët, sheqerin e tresin jo me bisht por me pallë, mënyra ime e tretjes u duket diçka e ndërlikuar, e paarsyeshme, spektakël i rrallë, të cilit nuk mund t’i lënë pa parë asnjë sekuencë. Kështu, me këtë stil që nuk korrespondon me asnjë nga përvojat e tyre tretëse, kam nxitur tej mase kuriozitetin e gjindjes që më rrethon. Kuriozitet aq i madh ky, sikur brenda filxhanit t’im s’po tretet sheqeri për të më ëmbëlsuar mua, por po kryhet masakër që përgjak ata. Pra nuk është një kuriozitet mirëfilli, por shumë më tepër; Një merak i madh, një gërryerje e brendshme në rritje që ka përfshirë të ngeshmit që po më shohin vëngër sikur të isha vrasës. Më i madh ky panik edhe se agonia e kokrrizave të sheqerit në luftë për jet’ a vdekje me bishtin e hollë në skajin tjetër të së cilit ndodhet e trasha pallë që po e mbaj me dorë.
Dhe të gjithë, i janë futur shqyrtimit të imët të spektaklit të rrallë, gjetjes së kuptimit të thellë, shqyrtimit të natyrës së këtij krimi, simbolikës së fshehur të gjestit t’im me bisht.
Në këto rrethana kaq dramatike, pyetja kyç është; Pse vallë ky i lojtur brenda filxhanit rrotullon bishtin dhe jo pallën ?!
Ndërkohë që vazhdoj tretjen me, në filxhan bishtin, në dorë pallën, habia e publikut rritet e rritet e s’ka të sosur. I ka përpirë spektakli i rrallë. Kafen t’ime mbi banak po e këqyrin, jo sikur ma solli kafexhiu, por si UFO që zbriti nga qielli.
Ore, vërtet unë dhe kafeja ime meritojmë gjithë këtë vëmendje ?! S’ka mundësi ! Nuk është e arsyeshme. Nuk është as e kuptueshme. Çfarë i mundon ?
Vazhdoj tretjen me pallë në dorë.
Duke i parë ashtu të ndezur nga etja në rritje për të eksploruar brendinë t’ime, të cilën brendi unë pareshtur e shpall, ndërsa ata të tyren pa pushim e fshehin, në një moment, më kap dëshira ta flak lugën me gjith’ bishtin e me gjith’ pallën dhe tretjen ta vazhdoj me secilin nga ata një nga një duke i përdorur si bisht. Ose t’i rrëmbej të gjithë bashkë, t’i flak në kafe’, t’i tres si sheqer, t’i pi si raki’.
Ç’të bëj ? A të hakmerrem duke u shndërruar në bombë ta hedh në erë kafenenë ? Jo, se gjynah, shqiptar unë shqiptarë ata. Atëherë, si t’i qetësoj, si t’i qartësoj ?! S’do mënd se nuk mund të nis t’u shpjegoj se çështja e bishtit dhe e pallës, e bishtit të bishtit, e pallës së pallës, e pallës së bishtit, e bishtit të pallës, e të gjithë bishtave dhe e të gjithë pallave, është një gjë aq evidente sa s’meriton asnjë shpjegim dhe asnjë vëmendje. T’u them se ngatërrojnë shkak - pasojën ! Se prirja shqiptareske për të parë e për t’u marrë vetëm me shkakun, sidomos me shkakun e tjetrit, në këtë rast, me mua, kafen t’ime, sheqerin, filxhanin, lugën, bishtin, pallën, që janë të gjitha mjete, pra të gjitha shkaqe, dhe asnjë pasojë, është një prirje e sëmurë me rreziqe të mëdha në radhë të parë për ata vet’. Se pasoja finale e pirjes së një kafeje, që do meritonte vërtet vëmendje, është një gjë e ngatërruar me, gjak, tru, neurone, hormone, që ndodhet e fshehur thellë në ndonjërën nga zgavrat e panumërta të trurit t’im dhe jo të tyrin. Jo, ata s’kuptojnë nga këto. Atëherë t’u them se tani është vjeshtë, se vjeshta, duke ua nxjerrë të gjitha jashtë, i boshatis nga brenda. Edhe kjo s’do kishte asnjë efekt. Sepse ata janë të bindur që boshi dhe ploti s’kanë asnjë lidhje me ardhjen e vjeshtës, rënien e gjetheve, trillet e ndjenjave, lojërat e shqisave, nazet e organeve, dhe prandaj, sipas tyre, bosh nga brenda nuk janë ata, por unë i lojturi që tres kafen me bisht.
Ja si ndjekin me sytë e tyre bishtin t’im. Kur unë ngre, ul, shpejtoj, ngadalësoj, tund, shkund, rrotulloj, bishtin, edhe ata, ngrenë, ulin, shpejtojnë, ngadalësojnë, tundin, shkundin, rrotullojnë sytë.
A tu them se secili prej tyre është një realitet i rëndomtë njëkohësisht i pa këndshëm dhe i pa evitueshëm ? Diçka që ekziston por nuk vlen. Që e ke por s’ke ç’e do. Por të gjithë ata bashkë bëjnë edhe ndonjë gjë interesante. Që, për shembull, votojnë mirë. As kjo jo. Sepse, dihet, do marrin të vërtetë të kundërtën, sikur po i komplimentoj secilin. Për më tepër që e mira që rrjedh nga një votim interesant i kuriozëve të sëmurë është një e mirë e dyshimtë që dihet si fillon por s’dihet si mbaron. A t’u them se e vetmja meritë individuale e secilit prej tyre është nuhatja e pagabuar ndaj njeriut publik që vjedh ? As këtë s’do ta bëj. Se u rritet mëndja, dhe thonë me vete; ky kaq thotë por ne vlejmë më tepër.
Në të vërtetë, s’duhet humbur ky rast i artë për t’u thënë ndonjë gjë tani që e kanë gojën hapur nga habia, dhe gotat apo filxhanët i kanë mbi tavolinë. Se shqiptarit po i fole me filxhan a gotë ngritur, mos prit ta shqisi gotën apo filxhanin nga buza pa e menduar mirë djallëzinë e radhës. Por atëherë ç’më mbetet t’u them gjenive të dyshimit, belaxhinjve të vetes, mazohistave të interesuar që kjo torturë të mos u mbarojë kurrë ?! T’u them se planeti po kthehet në një kosh plehrash. Se ngrohja globale pas pak do përmbyti botën me ujin e Poleve. Se shëndeti psiqik është një ekuilibër çrregullimesh. Se mëngjeseve u telefonojnë kot radiove dhe televizioneve, pasi askush, jo vetëm nuk i dëgjon, por i tall me neveri. Se Zoti sigurisht ekziston, por vetëm subjektivisht, dhe jo objektivisht si kujtojnë ata. Se është fare e qartë që, me shqiptarët të cilët mendjen e bëjnë top paraprakisht, propaganda elektorale pak efekt ka. Se është hile fort’ e trashë që për mos funksionimin si duhet të Mediave ankohen pikërisht fajtorët, ata që i bëjnë dhe ata që i kanë. Se reporterët e organizatave ndërkombëtare që raportojnë keq për Shqipërinë janë shqiptarë burracakë që nuk guxojnë të dalin sheshit dhe të flasin hapur. Se shumica e lajmeve mediatike janë gënjeshtra të nakatosura me fare pak të vërteta. Jo, s’do t’u them asnjërën nga këto. S’meritojnë.
Treta kafenë, gjeta belanë. Pas pak ata do harrojnë perfeksionizmin t’im provizor me bisht të hollë, do nisin perfeksionizmin e tyre të përjetshëm me pallë të trashë.
Sikter me gjith kafe’ ! Ma bën’ harram. U ftoh. S’do ta pi.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›