Kastrioti ndal Besën, Teuta mund Skënderbeun
Leonard Karaj
Kastrioti ka mundur Besën në Krujë duke i bërë një favor Dinamos, ndërsa Teuta fiton ndaj Skënderbeut.Besa, skuadra e dytë (me Dinamon) që nuk e kishte provuar shijen e humbjes deri të dielën e 1 nëntorit 2009, është dorëzuar në Krujë. Dhe ndëshkimi nga Kastrioti ka ardhur në momentin më delikat, kur Dinamo kishte fituar 4-0 një ditë më parë, ndaj Gramozit, pikërisht në minutën e 92-të të ndeshjes, kur Abazaj ka ngritur peshë tifozërinë krutane. Portieri Orges Shehi ka pësuar kësisoji golin e dytë në këtë kampionat, pasi nuk ishte prekur rrjeta e tij që në javën e parë të kampionatit, në Peqin, në fitoren 2-1 të Besës. Tashmë diferenca mes Besës dhe Dinamos shkon në 5 pikë, duke e bërë akoma më interesante ndeshjen e radhës mes tyre, javën e ardhshme, në stadiumin e Kavajës. Sidoqoftë, kjo diferencë krijon një presion të madh në radhët verdhezi, që shikojnë të largohen jo pak nga kreu. E kundërta mund të thuhet për blutë e Dinamos, që, kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i fazës së parë, mund ta konsiderojmë pothuajse “kampione e dimrit”, një titull simbolik ky. Po dje në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta e Durrësit luajti me Skënderbeun. “Djemtë e detit” arritën të fitojnë pastër, 2-0, ndaj miqve nga Korça, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë, nga Hodo dhe Hysa. I pari realizoi me një goditje dënimi, por edhe me ndihmën e murit korçar, që e devijoi topin drejt rrjetës së Llapanjit, ndërsa i dyti konkretizoi një aksion model, që pati për iniciator Hysenin. Me këtë fitore, Teuta e drejtuar nga Mirel Josa ngjitet në vendin e katërt në renditje, me 15 pikë, duke parakaluar kështu Tiranën, që ka një pikë më pak. Në anën tjetër, Skënderbeu vijon të shfaqë probleme në transfertë, edhe pse në Durrës, në pjesën e parë, pati iniciativën në lojë, madje humbi edhe një rast të pastër për gol. Javën e ardhshme korçarët do të presin Vllazninë ndërsa Teuta do të luajë në Ersekë ndaj Gramozit.