Padia, Ngjela: Do i dërgojmë Kushtetueses statutet e partive
Kryetari i PLiDr, avokati i njohur Spartak Ngjela e cilësoi normale si procedurë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese drejtuar partive politike, që iu drejtuan asaj për paktin e kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas avokatit, partitë brenda afatit të caktuar nga gjykata, duhet të çojnë dokumentacionin e tyre, përfshirë dhe statutet e tyre, ku do të vërtetohet interesi që partitë kanë rreth çështjes së integritetit të kufijve territorialë. Gjykata Kushtetuese ktheu të premten në rrugë administrative kërkesën e 6 partive opozitare për plotësim dokumentacioni. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese që përbëhet nga Xhezair Zaganjori, Fehmi Abdiu dhe Sokol Berberi, ka parë të arsyeshme që për të vendosur mbi të drejtën ligjore që kanë, PS-ja, PDS-ja, PSD-ja, PDK-ja, G99-a dhe PliDr-ja për të ankimuar marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ose siç njihet ndryshe marrëveshja që bën ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, të kërkojë më parë prej tyre plotësimin e kërkesës me një dokumentacion shtesë. Bur-ime pranë trupës së gjyqtarëve, që janë marrë me shqyrtimin e kësaj çështjeje, konfirmojnë se bëhet fjalë për statutet dhe programet e këtyre forcave, mbi të cilat ato normojnë jetën e tyre politike dhe përcaktojnë parimet kryesore për realizimin dhe mbrojtjen e të cilave ato ekzistojnë. Sipas ligjit të këtij institucioni, subjektet që kanë paraqitur kërkesën duhet të argumentojnë para gjykatës se ato kanë lidhje me objektin që trajton kjo marrëveshje dhe se në dokumentet e tyre themeltare duhet të kenë të sanksionuara mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit.
Partitë opozitare
• Edi Rama, PS
• Paskal Milo, PDS
• Skënder Gjinushi, PSD
• Nard Ndoka, PDK
• Erion Veliaj, G99
• Spartak Ngjela, PliDr-ja