E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në Kuvend për paktin e kufijve”

 

Aristir Lumezi

Deputeti socialist Andis Harasani propozon zgjidhjen e çështjes së bojkotit të socialistëve me paktin e kufirit me Greqinë. Sipas deputetit socialist, nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e partive opozitare, PS duhet të hyjë në Parlament për të zbardhur marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. “Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, PS i jepet mundësia që të realizojë dy qëllime; së pari, të bëhet pjesë e debatit politik, profesional, dhe mediatik për çështjen e përcaktimit të kufirit detarë Shqipëri-Greqi. Jam i bindur se PS i ka të gjitha kapacitetet politike dhe profesionale për të zbardhur të vërtetën e kësaj marrëveshjeje, duke i treguar njëkohësisht partnerëve e miqve tanë grekë, që ne jemi një parti serioze dhe i vlerësojmë maksimalisht marrëdhëniet me simotrën tonë në Greqi, të drejtuar nga miku ynë Papandreu, por sigurisht duke ruajtur interesat kombëtare dhe vlerësuar rolin e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE në 2014”, shprehet Harasani. Sipas deputetit socialist, PS duhet të tregojë se nuk e ka qëllim në vetvete bojkotin, por di të japë konsensuse për çështje të mëdha kombëtare. “Së dyti, duke u futur në Parlament për këtë çështje, i tregojmë të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtare që bojkoti nuk është pjesë e filozofisë së PS dhe për çështje të rëndësishme kombëtare, si dhe për çështje të integrimit dhe liberalizimit të vizave, është e gatshme të japë kontributin e saj maksimal, ashtu si ka vepruar gjithnjë në raste të tilla, siç ishte anëtarësimi në NATO, apo çështja e Pavarësisë së Kosovës. Ky veprim njëkohësisht i jep fund dhe të gjithë pikëpyetjeve dhe diskutimeve në lidhje me mandatin e deputetëve të grupit parlamentar. Jam i bindur që ky propozim imi do të kthehet në një gjykim racional dhe veprim të shpejtë të grupit parlamentar në ditët në vijim”, u shpreh Harasani. Deputeti socialist, një nga përfaqësuesit e “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe” në PS, ka kërkuar vazhdimisht dhënien fund të bojkotit të grupit parlamentar socialist, duke e cilësuar atë si një dëshirë të kryetarit socialist, se sa një arsye parimore për të qëndruar jashtë Parlamentit. Harasani është shprehur se nuk do të djegë mandatin e deputetit, duke qëndruar jashtë Parlamentit pambarimisht, duke iu bashkuar në këtë mënyrë dhe qëndrimit të Ben Blushit, Kastriot Islamit, Marko Bellos e Arben Malajt. Gjithashtu Harasani i ka cilësuar një shans i humbur për PS bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor. “Është koha të përballemi me këtë koalicion të brishtë. Kemi të bëjmë me një nonsens logjik, pasi mund të bësh bojkot ndaj qeverisë, por jo ndaj Parlamentit”, është shprehur Harasani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›