Zbardhet Plani i Tiranës, ku do ndërtohen shtëpitë e reja
Nertila Maho
Tendenca drejt perëndimit të zonave të reja të zhvillimit dhe infrastrukturës janë disa nga veçoritë që ekspertët vërejnë tek plani rregullues i Tiranës. Sipas tyre në hartat që përfshin ky projekt shihet një favorizim i pjesës Perëndimore të kryeqytetit dhe është lënë pas pjesa Lindore. Por përveç kritikëve ka edhe nga ata që e përgëzojnë këtë projekt gjigant të metropolit shqiptar. Sigurisht zbatimi i tij, nëse miratohet, do të jetë një sfidë e vërtetë. Në debatin që u zhvillua disa ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak shumë anëtarë ngritën pyetje të ndryshme dhe të tjerë shprehën rezerva. Një nga temat më të diskutuara ishte problemi i hartave. Nëse në projektin me shkrim anëtarëve ju ishin dhënë detajet e Planit Rregullues të Tiranës, në harta shumë prej tyre nuk arrinin të “deshifronin” atë që shprehej. Tirana e 2020-ës sipas vizionit të projektit është një metropol në kuptimin e plotë të fjalës me 1 milion banorë të cilët do të kërkojnë shërbime, infrastrukturë dhe banim. Hartat që shoqërojnë planin janë pak a shumë një “çelës” tjetër për të kuptuar se si do të duket dhe çfarë tendencash do të ketë kryeqyteti pas 10 vitesh. Për detaje më të hollësishme ne kemi pyetur ekspertë të ndryshëm të cilët na kanë dhënë mendimet e tyre mbi këto harta dhe kanë “zbërthyer” mesazhin që ato bartin. Plot 19 harta përfshijnë një sërë dukurish dhe studimesh për kryeqytetin në total, parë në disa këndvështrime. Kështu është hartuar harta e zonave me potencial dendësimi, e rehabilitimit rrugor, zonave prioritare për zhvillim, rrjeti ujor dhe kanalizime, zonimi funksional. Për secilën prej tyre ne kemi marrë mendimin e ekspertëve, shpjegimet e të cilave do t’i gjeni mëposhtë.
Zonat me potencial dendësimi (Harta 2)
Sipas ekspertëve kjo hartë mund të shihet në dy aspekte. E para propozohet që dendësim të ketë në Qendër dhe kjo është pak kritike sepse do të thotë që të shtosh popullsi në një zonë që nuk mund të përmbushë gjithë nevojat për sa i përket shërbimeve dhe infrastrukturës. Në kushtet aktuale brenda Unazës së Tiranës densifikimi në shumë zona është me pikëpyetje. Çfarë mund të densifikosh në Bllok apo në Tiranë të Re ku intensiteti i ndërtimit apo densifikimi janë 3-5 herë më të larta. Ekspertët theksojnë se është mirë që të mendohet për lirim të hapësirave të reja në qendër. Nga ana tjetër propozohet dendësim në zonat periferike ku informaliteti është i madh dhe kjo është pozitive, sepse rritet efiçenca dhe ulet kostoja e shërbimit. Natyrisht këtu bëhet fjalë për ndërtime tre katshe ose katër katshe maksimumi.
Zonat e rehabilitimit urban (Harta 3)
Kjo hartë shpreh ndërhyrjen për të rregulluar gjendjen në infrastrukturë, banesa, shërbime dhe hapësira publike. Zonat që kanë më shumë premisa për t’u rehabilituar janë janë në zonën e Farkës, Kthesës së Kamzës, në Kasharr, rrotull Teleferikut në Dajt dhe zona e Liqenit ku intensitetet e ndërtimit janë më të larta. Plani ka bërë një lloj ndërhyrje tek këto zona. Edhe qyteti i Tiranës nuk bën përjashtim për sa i përket rehabilitimit. Zona të tilla si Minibashkia 1, Tirana e Re, Pallatet e Aviacionit deri tek Myslym Shyri dhe Tirana tradicionale kanë gjithashtu hapësira për të ndërhyrë.
Zonat prioritare dhe fazat e zhvillimit (Harta 1)
Kjo është një hartë e cila shpreh qartë disa aspekte. Këtu kemi zonat me rurale me drejtim bujqësor, zonat urbane dhe zonat potencial zhvillimi (zona që do të kenë më shumë ndërtime dhe rrjedhimisht lejë për të ndërtuar). Këtu mund të përmendim Stacionin e Trenit, një pjesë e Tiranën tradicionale nga rruga e Porcelanit deri tek Medreseja dhe shkon afër Stacionit të Trenit, Allias, përtej Don Bosko nga fabrika e Këpucëve, në hyrje të Tiranës tek kryqëzimi i Unazës së Re , Kodër Kamëz , rreth Teleferikut, Shkolla Teknike që ndodhet tek pjesa e kryqëzimit të Unazës së Re me Rrugën e Kavajës. Po kështu në hartë tregohen fazat të tjera siç janë rehabilitimi i akseve dhe unazave që është bërë, ndërtimi i një segmenti të Unazës së Re nga Fabrika e Bukës deri tek rruga e Elbasanit, faza e tretë ndërtimi i unazës në pjesën veriore tek Lumi i Tiranës që merr gjithë rrugën e Arbrit dhe e sjell tek rruga e Durrësit, nga Rruga e Elbasanit tek Teleferiku.
Rrjeti ujor dhe kanalizime
Në harta jepet infrastruktura ujore e Tiranës. Sipas ekspertëve maksimumi i burimeve të ujit që ka sot Tirana, nëse popullsia rritet sipas parashikimit, përmbushin vetëm gjysmën e kërkesës që do të jetë në 2020-ën. Duhet të dyfishohet prurja e ujit dhe në këtë pikë qeveria lokale duhet të bashkëpunojë me atë vendore për aspektin e sigurimit të kësaj sasie uji që do të nevojitet. Për kanalizimet ka një faturë të madhe që shkon rreth 250 milionë euro.
Rrjeti rrugor
Në këtë hartë jepet qartë hierarkia rrugore. Tregohet skema, një koncept se si do shkohet në nyjet mbledhëse, klasifikohen rrugët në rrugë lagje, rrugët dytësore, rrugë urbane, interurbane. Jepen përmasat e rrugëve, seksionet, gjelbërimi, ndriçimi dhe sipas ngjyrës jepet prioriteti. Mund të shohim se Tirana ka pasur një zhvillim radial unazor dhe në rrathë. Problemi nuk qëndron në këtë zhvillim por tek nyjet që krijohen mes rrugëve radiale dhe unazore sepse këtu trafiku është dhe më i dendur, sa më shumë t’i afrohesh qendrës. Sistemi i Tiranës me këtë lloj modeli për 500 mijë banorë është i mirë, por nëse ky sistem do të jetë i tillë kur priten 1 milion banorë trafiku do të kthehet në një dramë. Në këtë situatë duhet dekurajuar qarkullimi me makina private dhe duhet inkurajuar transporti publik duke parashikuar linja të reja autobuzash.
Pole të rëndësishme zhvillimi
Kjo hartë ka bërë një renditje të poleve më të rëndësishme ekonomike. Sipas ngjyrave janë paraqitur qendra, zhvillimet industriale, shërbimet parësore, zonat shumë-funksionale. Shërbimet parësore kanë një shtrirje në qendër dhe periferi dhe kjo është e mirë. Shërbimet mikse kanë një shtrirje rreth unazës së parë dhe të dytë të Tiranës. Shërbimet ekonomike kanë shtrirje në periferi. Sipas një logjike e gjithë kjo shtrirje në total duket e pranueshme.
Zonimi funksional
Në këtë hartë jepet klasifikimi i zonave të Tiranës sipas funksionit jetësor banim, shërbime ekonomike, shërbime administrative. Është dhënë kështu edhe një panoramë të qartë se ku ndodhen të gjitha këto. Kjo është një formulë që përdoret në urbanistikë por vlen edhe për përcaktimin e vlerës së tokës dhe shërbimin infrastrukturor që duhet të ketë si p.sh Zonë me banesa të ndërtuara nga shteti, private , me aktivitet ekonomik, një familjare apo shumë familjare.
Zonimi i përgjithshëm
Në këtë hartë përcaktohet zona e gjelbër dhe urbane. Brenda urbanes përcaktohet densiteti dhe intensiteti. Këto dy të fundit merren si tregues i cilësisë së jetesës në qytet. Sa më në qendër aq më i lartë densiteti dhe intensiteti. Sipas ekspertëve këtu duhet të ketë një balancim të cilësisë së jetës mes periferisë dhe qendrës. Nëse periferia ka ajrin e pastër dhe më shumë komoditet për jetesën, qendra ka më shumë shërbime. Si shembull mund të merret Lumi i Tiranës i cili është një barrierë ndarëse me pjesën tjetër të qytetit.
Mundësitë e zhvillimit (Harta 5)
Në këtë hartë tregohen tokat e lira të pa ndërtuara nga qendra në periferi ku ka mundësi për zhvillim. Sipas ekspertëve shihet një tendencë për zhvillim drejt pjesës Perëndimore të Tiranës. Por cilat do të jenë këto zona që do të kenë zhvillim më të madh ku do të ketë edhe lejë ndërtimi? Janë një sërë qendrash potenciale ku do të krijohen disa sheshe siç janë, Stacioni i Trenit, Zogu i Zi, 21 dhjetori, Vasil Shanto, Kodra e Diellit, Fabrika e Bukës, Rruga e Durrësit tek rrotullimi i parë, Ura e Kamzës, Blloku, Nënë Tereza, Sheshi “Skëndërbej”, kryqëzimi i Lanës me bulevardin, Frigoriferi, Farmacia 10, poshtë Alliasit. Ka një prioritet në Perëndim dhe po kështu ndodh dhe me infrastrukturën. Nëse shohim zgjerimin e Tiranes do të vërejmë se fillimisht rritja është radiale dhe pastaj kjo shkon në perëndim. Ka tendenca dhe drejt Dajtit por plani supozon që të ndalojë këtë tendencë dhe ta shtyrje drejt Perëndimit.
Tipologjia e ndërtesave
Në këtë hartë tregohen qendrat, zonat historike, zonat urbane, rurale, banesat ku janë më të larta ku më të ulëta, vendosja e institucioneve shtetërore. Pra në total bëhet një prezantim i gjithë llojeve të ndërtesave që ekzistojnë.
Rrjeti rrugor ekzistues
Harta e rrjetit rrugor është e varfër sepse nuk është i plotë. As vetë Bashkia nuk e ka të saktë se sa kilometra rrugë ka Tirana. Falë ndërtimeve të reja janë hapur dhe rrugë të reja të cilat nuk rezultojnë të përmbledhura. Për planin rregullator bazë është marrë rrejti rrugor aktual dhe më pas është dalë tek pojekti i Unazës e më gjerë.
Shpërndarja e aktiviteteve (Aspekti ekonomik)
Në qendër janë të përqendruara institucionet shtetërore dhe kjo është normale. Shërbimet janë përgjithësisht të përqendruara në zonën Veriore dhe Perëndimore dhe më pak në pjesën qendrore e jugore dhe sipas eksperteve këtu kjo pikë duhet të balancohet. Karakteri industrial ekonomik ndodhet po në Perëndim ndërsa karakteri bujqësor shfaqet në pjesën Veriore, në Dajt Paskuqan dhe Kasharr.
Dendësitë e popullsisë (aktuale dhe ne vazhdim)(Harta 6)
Është një nga pikat më kryesore të projektit. Kur thua që 400 mijë banorë është rritje e Tiranës apo e metropolit. Duke pritur që në 2020 në Tiranë do të ketë rreth 1 milionë banorë duhen kërkuar edhe mënyrat se ku do të stabilizohet kjo popullsi. Rritja në vertiaklitet është një presion i madh në infrastrukturë. Ekspertët shpjegojnë se harta tregon një sërë zonash që do të densifikohen të cilat ndodhen në qendër dhe periferi. Kështu mund të përmenden zonat e Paskuqanit, Stacionit të Trenit, dalje e Rrugës së Durrësit , aeroportit të vjetër të Tiranës ndërkohë që pjesa e Qendrës dhe Don Bosko do jenë mjaft të densifikuara gjithashtu.
Gjendja ekzistuese e përdorimit të tokës
Kjo hartë jep në detaj se për çfarë shërben toka duke e ndarë këtë të fundit në disa kategori sipas funksionit. Kështu janë përfshirë lumenjtë dhe liqenet, aktivitetet private, veprimtari prodhues/përpunuese, shërbime shëndetësore dhe edukuese, institucione dhe shërbime publike zona banimi parqe dhe zona çlodhëse, toka bujqësore dhe toka të lira.
Zonat e reja të zhvillimit (Harta 4)
Kjo është hallka kyçe. Tek kjo zonë do të përqendrohet edhe dhënia e lejeve të ndërtimit dhe hartimi i planeve rregulluese. Janë një sërë zonash të cilat janë përcaktuar si zona të reja zhvillimi ku mund të përmendim Stacionin e Trenit deri tek lumi, Allias, Ish Kombinati “Josif Pashko”, Universiteti Bujqësor i Tiranës, zona e hyrjes në Tiranë nga Rruga e Durrësit, zona në Qytetin e Nxënësve, Kombinati, Ish-uzina Enver, poshtë digës së Liqenit, Komuna e Parisit. Janë një sërë parcelash në zonën Lindore të cilat janë më të vogla. Të gjitha këto blloqe janë në një masë më të madhe në pjesën Perëndimore kurse në zonën Lindore ato janë më të pakta.
Situata Gjeologjike-Inxhinierike
Përcaktohet struktura e tokës, mikrozonimi sizmik jepet qëndrueshmëria ndaj tërmeteve. Risku i tërmetit është nga 6-8.5 ballë dhe sipas specialistëve që kanë haruar këtë projekt ndërtuesit duhet të garantojnë sigurinë e ndërtesave deri në këtë pikë. Po kështu në hartë jepet edhe rreziku nga gazi radioaktiv i radonit.
Pika e kufijve
Tirana pritet që të zgjerohet dhe kufijtë e saj mund të kalojnë edhe në komuna. Në këtë pikë sipas ekspertëve duhet të ketë një koordinim të interesave të komunave të cilat mund të prekë ky plan rregullues siç janë Djati, Farka, Baldushku, Kasharri, Bashkia e Kamzës, Paskuqani dhe Zall Herri. Duhet të krijohen struktura të përbashkëta që të funksionojnë si një sepse mosbashkëpunimi nuk sjell zbatim të projektit.