E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, kërkesa për Armët

Opozita po përgatit ngritjen e një komisioni parlamentar që nuk do të fokusohet vetëm tek Gërdeci, por tek gjithë afera e madhe e armëve

Opozita pritet të dorëzojë që sot në Kuvend, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për çmontimin dhe tregtinë e armëve. Spartak Braho, deputeti i LSI-së, i konfirmoi “Korrierit”, se firmat e fundit të domosdoshme do të mblidhen sot paradite, ndërsa deri dje ishin mbledhur më shumë se gjysmat e tyre. Numri i firmëtarëve duhet të jetë 35, e sipas Brahos do të plotësohet sot. Ai konfirmoi se pjesë e firmëtarëve kanë qenë edhe deputetë të PS-së e se kërkesa për ngritjen e komisionit gjen mbështetjen e gjithë opozitës. Kërkesa parashikon ngritjen e komisionit prej 13 anëtarësh, kryetari i të cilit do të jetë një përfaqësues i opozitës. Përgjatë dy muajsh, komisioni hetimor do të hetojë veprimtarinë dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Këshillit të Ministrave, lidhur me hartimin e kuadrit ligjor dhe respektimin e tij për çmontimin dhe shitjen e municioneve. “Posaçërisht në rastin e kontratave të lidhura me kompaninë “AEY” për llogari të qeverisë amerikane dhe me kompaninë “Albademil”, thuhet në kërkesën e përpiluar tashmë që ditën e premte. Do të kontrollohet ekzekutivi e Ministria e Mbrojtjes lidhur me hartimin e kuadrit ligjor për eksportin e armëve, efektiviteti apo qëllimi i ndryshimeve dhe i iniciativave të marra, e sikundër veçohet, edhe implikimi i Këshillit të Ministrave në zbatim të legjislacionit. Komisioni do të hetojë edhe lidhur me bazueshmërinë ligjore të kontratave të shitjes së armëve midis Ministrisë së Mbrojtjes e operatorëve privatë. Në kërkesë thuhet se synohet të qartësohet roli dhe shkalla e përgjegjësisë dhe e implikimit të ushtrisë, Ministrisë së Mbrojtjes e qeverisë në këto ngjarje, ku ngrihen akuza për shitje armatimi jashtë standardeve për forcat aleate në Afganistan, mashtrim i qeverisë amerikane duke i shitur fishekë kinezë për shqiptarë dhe dyfishim abuziv të çmimeve.

S’mund të rrëzohet

Kërkesa e opozitës për të hetuar tregtinë dhe çmontimin e armëve, që pritet të dorëzohet që ditën e hënë në Kuvend, duket se nuk mund të ketë ndonjë pengesë për t’u rrëzuar. Bazuar në Kushtetutë, por edhe rregulloren e Kuvendit, mjafton kërkesa dhe firmat e një të katërtës së anëtarëve të Kuvendit, që komisioni të marrë jetë. Mbledhja e firmave ka filluar që ditën e premte nga PSD-ja dhe LSI-ja, e sipas këtyre partive, “pro” komisionit është edhe partia më e madhe opozitare, PS-ja. Pra, nëse të gjithë të majtët janë dakord, atëherë plotësimi i numrit prej 35 firmash është mëse i realizueshëm. Më tej, duket se nuk mund të ketë asnjë pengesë. Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 77, pika 2, Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Pra, jo vetëm që kërkesa nuk mund të rrëzohet, por ajo detyron Kuvendin që të ngrejë komisionin. Gjithsesi, bazuar sërish në këtë nen, përfundimet e komisionit hetimor nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. Të njëjtën procedurë për ngritjen e komisionin parashikon edhe Rregullorja e Kuvendit në nenin 25 të saj. Firmat e fundit pritet të vendosen sot, e pas dorëzimit të kërkesës në Kuvend duket se iniciativa e opozitës nuk mund të kthehet mbrapsht. saqellari@korrieri.com

Kushtetuta

Neni 77

2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.

3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Rregullorja e Kuvendit

Neni 25

Komisionet hetimore

1. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

2. Komisionet hetimore të Kuvendit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›