Pafajësi për pengmarrjen me uniforma policie
Tiranë- Roland Domi, i akuzuar për rrëmbimin e një personi, është shpallur dje i pafajshëm nga Gjykata për Krime të Rënda. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, pas më shumë se një ore, vendosi të japë pafajësi për Domin, i cili deri dje ishte person në kërkim për një akuzë të rëndë. Në përfundim të procesit, gjykata u shpreh se provat e paraqitura nga Prokuroria për Krime të Rënda nuk provojnë akuzën e ngritur ndaj Roland Domit, i cili ka mbetur i plagosur me pesë plumba nga personi që e akuzon si pengmarrës. Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor, të zhvilluar në mungesë të Domit, ku përfaqësuesi i akuzës ka paraqitur një sërë provash, që sipas tij vërtetojnë fajësinë e të pandehurit. Të gjitha provat janë kundërshtuar nga avokati mbrojtës i Domit, i cili ka deklaruar para gjykatës se asnjë prej këtyre provave nuk ngarkon me përgjegjësi penale klientin e tij. Edhe vetë pengu, Elvis Gurra, i dënuar me 20 vjet heqje lirie, gjatë deklarimeve të dhëna në Prokurori dhe Gjykatë ka përmendur dy emra si rrëmbyesit e tij. Fillimisht, Prokuroria urdhëroi arrestimin e të akuzuarit si bashkëpunëtor të Domit, por pas tre muajsh, urdhëroi pushimin e hetimeve ndaj tij, duke dërguar për gjykim vetëm të pandehurin Roland Domi në mungesë. Sipas prokurorisë, i pandehuri në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ka rrëmbyer shtetasin Elvis Gurra, pasi ky i fundit kishte qenë autor i plagosjes së Domit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2008 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Për këtë ngjarje, përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin e Roland Domit me 21 vjet heqje lirie në mungesë, duke parashtruar, sipas tij, edhe provat që vërtetojnë fajësinë e tij. Sipas prokurorisë, rrëmbimi i Elvis Gurrës ka ndodhur më 3 nëntor të vitit 2008, kur Roland Domi dhe dy persona të paidentifikuar kanë shkuar në banesën e tij, në Sauk, të veshur me uniformë police dhe e kanë marrë atë me forcë. Kjo ngjarje ka pasuar atentatin e ndodhur më 17 maj të po këtij viti, kur Elvis Gurra ka plagosur me pesë plumba Roland Domin dhe shokun e tij, Çlirim Goroshjani, të cilët ndodheshin në një lokal në lagjen “Ali Demi”. Pas futjes me forcë në një automjet me targa të huaja, sipas prokurorisë, pengu është çuar pranë lumit Erzen. Gjatë rrugës, rrëmbyesit kanë keqtrajtuar pengun, duke i thënë se e dinin që ishte ai autori i plagosjes dhe e ndiqnin prej dy muajsh. Prokuroria thotë se, pasi kanë mbërritur pranë lumit Erzen, dy prej rrëmbyesve kanë hapur një gropë rreth një metër të thelle, duke i thënë pengut se ishte gropa ku do të varrosej pasi të digjej me acid dhe benzinë. Pasi e kanë zhveshur lakuriq dhe e kanë futur në gropë, dy prej rrëmbyesve janë nisur drejt makinës për të marrë benzinën dhe acidin, ndërsa pengu është lënë në ruajtjen e një personi të armatosur. Sipas shpjegimeve të Elvis Gurrës, në këtë moment ai ka mundur të largohet, ndërsa në drejtim të tij kanë qëlluar tetë herë me armë, por asnjë prej plumbave nuk e ka kapur. Këto fakte janë treguar në prokurori nga i rrëmbyeri, i cili vetëm pak muaj pas kësaj ngjarjeje u dënua me 20 vjet burg për tentativë vrasje ndaj Roland Domit dhe shokut të tij. Por pavarësisht këtyre të dhënave, Gjykata për Krime të Rënda çmoi dje se nuk ka asnjë provë që mund të ngarkojë me përgjegjësi penale të pandehurin Domi. Për këtë arsye vendosi të shpallë të pafajshëm të pandehurin për akuzën e rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.