E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Shqipëria, aleate e fortë në luftën kundër terrorit

Departamenti amerikan i Shtetit publikon raportin vjetor për luftën kundër terrorizmit në botë, ku e vlerëson maksimalisht bashkëpunimin e qeverisë shqiptare, si një kontribut i fortë në përpjekjen e përbashkët amerikano-shqiptare për neutralizimin e celulave terroriste

Në një raport vjetor të publikuar dy ditë më parë nga Departamenti amerikan i Shtetit për luftën kundër terrorizmit në botë, thuhet se gjatë vitit 2009, Shqipëria premtoi të shtojë kontributin me trupa në Afganistan, ngriu llogaritë bankare të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe punoi në mënyrë aktive me Shtetet e Bashkuara e vende të tjera për të luftuar terrorizmin.
Shqipëria bëri përparim në aspektin e identifikimit të pikave të dobëta në kufijtë tokësorë dhe detarë por qeveria dhe policia vazhduan të përballen me sfida për sa i përket zbatimit të plotë të masave për sigurinë e kufirit si dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, thotë raporti i Departamentit të Shtetit.
Më 14 janar 2008, thuhet në raport, filloi gjyqi nën akuza penale kundër Hamzeh Abu Rayyan, administratori i dyshuar për financuesin e terrorizmit Yassin al-Kadi, i cili akuzohet se kishte fshehur fonde të përdorura për financim terrorizmi. Kjo shënoi gjyqin e parë që zhvillohej në Shqipëri për financim të terrorizmit. Gjyqi vazhdoi gjatë gjithë vitit 2009. Një padi civile e ngritur nga al-Kadi për të zhbllokuar asetet e tij u hodh poshtë dhe u ngrit disa herë në gjykatë. Tani rasti pret të gjykohet në gjykatën e Tiranës.
Më 12 dhjetor 2009, thuhet në raport, në Durrës u arrestua imami Artan Kristo, i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullah, i cili u akuzua për nxitje dhe propagandim në publik të akteve terroriste. Sipas akuzës, ai kishte bërë thirrje për xhihad në forumin AlbSelafi.net në internet. Më parë, ai ka qenë marrë si i dyshuar lidhur me vrasjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar Salih Tivari, në janar 2003. Gjykata e Durrësit vendosi që Kristo të mbahej i ndaluar në pritje të gjykimit.
Deri në tetor të vitit të kaluar Ministria e Financave njoftoi se mbante të ngrira asetet e 6 individëve dhe 14 fondacioneve e kompanive që janë në listën e rezolutës 1267 të Këshillit të Sigurimit. Gjatë vitit 2009 nuk pati ngrirje asetesh të tjera në bazë të ligjit shqiptar për Bllokimin e Aseteve që lidhen me financimin r terrorizmit. Megjithatë, thuhet në raport, efektiviteti i qeverisë shqiptare në këtë aspekt u minua nga mungesa e një infrastrukture për përpunimin e të dhënave dhe nga aftësia e pamjaftueshme për t’i ndjekur dhe menaxhuar si duhet raste të tilla.
Duke u ndalur edhe në një analizë më të gjerë, i njëjti raport i Departamentit amerikan të Shtetit, bënë të ditur se vendet europiane kanë vazhduar të përmirësojnë aftësitë e tyre për të luftuar kërcënimin nga terrorizmi nëpërmjet forcimit të legjislacionit kundër terrorizmit, përmirësimin e bashkëpunimit shumëpalësh, si dhe në ndjekjen dhe burgosjen dyshuarve për terrorizëm.
Sipas raportit, mësohet se disa grupe të rëndësishme terroriste ishin kapur në 2009, ndërsa qeveritë janë përqendruar në mënyrë të vazhdueshme në dy sulme të veçanta për të zbuluar dhe për të kuptuar dhe luftuar procesin e radikalizmit. Për këtë qëllim, qeveritë evropiane vazhduan përpjekjet e tyre në terren në komunitetet vendore myslimane dhe kanë bërë përpjekje për të fituar mbështetjen nga këto komunitete për t’u përballur me ankesa të ideologjisë ekstremiste të dhunshme.
Më gjerësisht, kontributet e vendeve europiane në shkëmbimin e informacionit, për anëtarët e arrestuar të grupeve terroriste, dhe moslejimin e financimit të terrorizmit dhe të logjistikës kanë mbetur elemente thelbësore në përpjekjet globale për të luftuar terrorizmin. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë vazhduar të bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër terrorizmit, edhe pse ekzistojnë dallime rreth standardeve për mbrojtjen e të dhënave të komplikuar, si edhe për përpjekjet për të rënë dakord mbi ndarjen e të dhënave bankare.
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se elementë të rëndësishëm të al-Kaidës, të cilët fshihen në Pakistan, vazhdojnë të jenë kërcënimi kryesor terrorist për Shtetet e Bashkuara. Raporti, citon një ndryshim në aktivitetet terroriste nga Lindja e Mesme në Azinë jugore.
Raporti bën fjalë për një rritje të veprimtarive terroriste në Azinë jugore. Për here të parë, raporti për terrorizmin në botë, që është autorizuar nga Kongresi amerikan, tregon se më shumë incidente ndodhën në Azinë jugore se sa në Lindjen e Mesme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›