ǒpritet nga ristartimi me halle i qeverisë “Berluskoni”?
Numrat i japin të drejtë Finit, jo Berluskonit. Me një grup parlamentar me më shumë se 30 deputetë, më shumë nga se ç’pritej, kreu i parlamentit italian i ka më të vërtetë të gjithë gurët për të vënë në siklet (ish)të fortën qeveri të Berluskonit, në të njejtat vështirësi siç u ndodh pararendësi i tij, deri kur u shkërmoq, Romano Prodi: një shumicë aspak e qëndrueshme, me një veprimtari politike ngushtësisht të kufizuar, një jetë parlamentare me plot të papritura ku mund të gremisesh pa pritur e pakujtuar. Megjithëse Fini nga ana e tij ka premtuar “një mbështetje të jashtme” ndaj qeverisë, ka bërë të qartë se do veprojë i pavarur nga qendrimet e qeverisë, në lidhje me çështje delikate si ligji për përgjimin dhe ai i reformës në drejtësi, si dhe për çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë më unitetin kombëtar(ligji për federalizmin fiskal). Në këto kushte, çfarë i mbetet vallë në muajt në vazhdim kryeministrit Berluskoni dhe premtimeve ndaj mbështetësve të tij? Për më tepër, a do të jetë i gatshëm Bosi të ofrojë mbështetjen e tij ndaj një qeverie që shfaqet e mangët në aftësitë e saja për të mbërritur te ‘federalizmi fiskal’, aq shumë i ëndërruar prej kreut të “Lega Nord”-it. Megjithatë, gjithçka po ndodh nuk thjeshtohet vetëm si përllogaritje karrigesh parlamentare. Ka edhe shumë efekte anësore prej përmbylljes së ciklit të formacionit koalicionist “Popullit të Lirisë” në formën e saj origjinale. Pas këasj ndodhie, i gjithë sistemi politik në vend duket të jetë vënë në lëvizje, ku të papriturat janë të panumërta. Pasoja e parë që ndikon në “sistemin politik”, si rezultat i ndarjes së Berluskonit me Finin, është mundësia të rimarrë vlerë e peshë politike, ajo që për shumë kohë është lënë mënjanë, e copëtuar, por e jo thyer krejtësisht, QENDRA, çka do të prishte bipolarizmin deri më tani sundues. Le të arsyetojmë më në detaje. Pasi “Populli i Lirisë” shkoi drejt morgut, kambanat e vdekjes bien tashmë për të majtët e Partisë demokratike. Të dyja koalicionet kundërshtare gjallonin politikisht për shkak të pranisë së njera-tjetrës. Shkërmoqja e njërës paralajmëron fundin e menjëhershëm të tjetrës. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ndihet e sfilitur nga një sërë betejash zgjedhore të humbura dhe nga grindjet e shumta të brendshme. Tani që koalicioni i djathtë u shqit, zor se do të gjendet ‘ngjitës’ për të bashkuar pjesët e ndara. Sekretari i PD-së, Bersani, e di mirë këtë fakt. Për këtë arsye ai ka nevojë(vështirë që t’ia arrijë qëllimit) për një krizë të shpejtë qeveritare që t’i japë rastin të rikthehet në lojë. Ndërkohë, veprimtaria e Casini-t(që po perkëdhelet fort nga Berluskon) po njeh gjithnjë e më shumë rritje, po ashtu edhe UDC-ja (Unioni i Kristian Demokratëve). Kështu “qendra” mund të përftojë veti manjetike për të thithur shumë prej figurave politike që shkëputen nga Pd-ja. Ka shumë gjasa që brenda një kohë të shkurtër, e shumta disa muaj, qendra, - le të themi hapësirat parlamentare që ndodhen mes Berluskonit dhe të majtëve të PD-së - të mbushen prej dyndjeve të reja. Kjo dukuri mund të vijë edhe si pasojë e zbehjes së jetës parlamentare të qeveritarëve, çka ofron mundësi të reja deri dje të pashpresa, për manovra politike dhe negociata të pritshme. Unë që po shkruaj këto rreshta mendoj se, pavarësisht mangësive të sistemit dypartiak, ai është i nevojshëm për vendin. Ligji aktual zgjedhor është në dobi të koalicioneve, por këtij ligji zgjedhor nuk i rezistojnë ndryshimet rrënjësore për vendosje ekuilibrash të rinj politikë. Në muajt në vazhdim, mbetemi në pritje të dy prej zhvillimeve më të rëndësishme. Fillimisht, për të kuptuar se a do të jetë i aftë Berluskoni të gjejë burime rezervë energjie politike, që do t’i jepnin mundësinë të vijonte të qeveriste vendin edhe pas ndryshimeve të kushteve të lojës. Së dyti, duhen parë me kujdes pasojat e ndarjes Berluskon-Fini. Ja vlen të shqyrtohet nëse ky ‘divorc politik’ do të përbëjë një ngjarje e rëndësishme, por me pasoja të kufizuara; apo, siç ka më shumë gjasa, zhurma e nevojshme e nisjes së një orteku që mund të ndërrojë, apo edhe të shndërrojë krejtësisht, sistemin politik në tërësi.
...