ALUIZNI, asnjë ndërtim paleje nuk do të legalizohet në zonat muzeale
Ervin KOÇI
Qeveria dhe ALUIZNI kanë vendosur që të mos legalizojnë asnjë objekt të ndërtuar pa leje apo shtesë informale të ngritur në ato që njihen si zona muzeale dhe të mbrojtura nga shteti. Bëhet fjalë për ndërtime pa leje që janë ngritur në 10 vitet e fundit në brendësi të kalave të banuara në vendin tonë, si ajo e Beratit, Krujës, Gjirokastrës dhe në të gjitha ato zona të tjera që janë muzeale apo të ruajtura nga UNESCO si pasuri botërore. Sipas vendimit të qeverisë, të gjitha këto ndërtime dhe shtesa paleje të cilat cenojnë edhe vlerat muzeale të objekteve të sipërpërmendura, janë evidentuar dhe nga ALUIZNI dhe janë shpallur si ndërtime për të cilat nuk do të pranohet bërja e procesit të legalizimit. Specialistë të ALUIZNI-t kanë thënë në lidhje me këto vendime, se as organet e pushtetit lokal dhe të zyrave rajonale të ALUIZNI-t nuk kanë dhënë asnjë leje për ndërtim ose shtesa në objektet muzeale. Nisur nga kjo, të gjithë banorët të cilët kanë kryer shtesa të paligjshme në ndërtimet e tyre në pronësi brenda këtyre zonave muzeale të mbrojtura me ligj, duhet që ti shembin ato, ose në të kundër i lind e drejta Policisë Ndërtimore që ti shkatërrojë ato.
Fenomeni
Lirimi nga ndërtimet pa leje i qytetit të Beratit, dhe sidomos i lagjeve muzeale të tij, është kthyer në një problem serioz. Me urdhër të prefektit të qarkut, në fillim të këtij viti është ngritur një grup pune i përbërë nga bashkia Berat, dega e policisë ndërtimore dhe institucioni i prefektit, i cili ka evidentuar ndërtimet pa leje në qytetin e Beratit nga ku ka rezultuar se qytetarët vazhdojnë të ndërtojnë pa leje ndërtimi, me pretendimin se kanë bërë vet-deklarimin për legalizimin e këtyre objekteve. Po kështu grupi i punës ka evidentuar se në bashkinë e Beratit janë 577 ndërtime pa leje, ndërkohë që në zyrën e ALUIZNI-t, janë vet-deklaruar 2276 ndërtime. Më problematike situata është në zonën muzeale, ku aktualisht, sipas drejtorit të monumenteve të kulturës, janë 147 ndërtime pa leje, të cilat konsistojnë në hapje muresh rrethues për garazhe makinash, zëvendësimi i dyerve dhe dritareve të banesave prej druri me dritare duralumini, përdorimi i betonit etj. Këto ndërtime në masën 80% të tyre janë të riparueshme, pasi nuk kërkojnë prishje, por vetëm përshtatjen e tyre me zonën muzeale, shprehen specialistët e e monumenteve të kulturës.
Moslegalizimi
Sipas ALUIZNI-t, në vitet e fundit në lagjet muzale janë ndërtuar edhe rreth 60 objekte të reja pa leje për të cilat pronarët kanë paraqitur dokumentet për legalizimin e tyre, por që sipas ligjit nuk parashikohet legalizimi në zonat muzeale. Zona më problematike është faqja lindore dhe ajo perëndimore e lagjes “Kala”, ku si rezultat i “zaptimit”, për ndërtime të sipërfaqeve në të dyja këto pjesë, jo vetëm që është ndërtuar pa leje, por edhe nuk janë pasur parasysh kriteret e ndërtime në zona të tilla. Në zonat muzeale të lagjeve "Kala", "Goricë" e "Mangalem", numërohen 150 ndërtime informate pa leje. Në lagjen “Kala” janë ndërtuar edhe disa antena televizive të kompanive private, të cilët kanë betonizuar sipërfaqet ku ngrihen, ndërkohë që ligji e ndalon në mënyrë kategorike ndërtimin e këtyre antenave në zonat muzeale. Nga ALUIZNI është kërkuar që për të gjitha këto ndërtime dhe shtesa të verifikohen lejet e ndërtimit, pasi ka leje që janë të falsifikuara, ku sipër shkresave mund të jenë vendosur vula falso.
Ndërtimet informale
Ndërtimet informate në zonat muzeale në berat por dhe në qytete të tjera nuk janë ndalur. As gjobat e vendosura nga bashkitë dhe madje as ato të drejtorive të monumenteve të kulturës, kanë rezultuar të paefektshme dhe nuk e kanë disiplinuar gjendjen për shkak se ato nuk janë ekzekutuar. Sipas ekspertëve të ALUIZNI-t, përgjegjësia për këto ndërtime është e bashkive, pasi këto ndërtime janë brenda territorit të tyre, dhe bëhet fjalë për ndërtime që kanë filluar 16 vjet më parë dhe që vit pas viti janë rritur në numër. Për prishjen e këtyre ndërtimeve më parë duhet që të bëhet një studim urbanistik. Por me anë të një bashkërendimi mes prefekturave, bashkive, policive ndërtimore, të mbështetur edhe nga policia e rendit, shumë shpejt do të fillojë prishja e të gjitha ndërtimeve pa leje, të cilat do të fillojnë nga zonat muzeale, duke zbritur në zonat tampon dhe të gjithë qytetet muze.
12 Mars 2010