Aksidentet, dy të vdekur dhe një i plagosur në 24 orë
Tri aksidente të rënda janë regjistruar gjatë ditës së djeshme në akset rrugore të vendit, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe është plagosur rëndë një tjetër.
Aksidenti i parë është regjistruar në orët e para të ditës së djeshme në Tiranë, ku ka humbur jetën 73-vjeçari Zenun Koka. Lidhur me këtë ngjarje, një vajzë 23-vjeçare u arrestua nga policia me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e një personi. Arrestimi ka ndodhur në orën 02:00 pas mesnate, te Rruga e Durrësit. Sipas policisë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Aksidenteve realizuan arrestimin në flagrancë të shtetases Sonila Zef Kalaj, 23 vjeç, banuese në Tiranë. “Kjo shtetase, në Rrugën e Durrësit, duke drejtuar automjetin ‘Ford’, me targë TR 1775 P, ka aksidentuar me vdekje shtetasin Zenun Rakip Koka, 73 vjeç, banues në Sauk”, - bëri të ditur policia. Vetëm disa orë më pas, një tjetër aksident ka ndodhur në Kavajë, ku humbi jetën 47-vjeçari Xh. Zeka. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40, kur mjeti me të cilin lëvizte viktima ka dalë nga rruga duke rënë në përrua. Si pasojë e aksidentit ka gjetur vdekjen personi që ndodhej në makinë. Policia tha se po heton shkaqet e ngjarjes, ndërsa dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të kushteve të vështira të rrugës dhe lagështirës, si pasojë e reshjeve të shiut gjatë natës. Por nuk ka mbaruar me kaq historia e aksidenteve, pasi pasdite, në rrugën Lezhë-Shkodër, ku pas daljes së një automjeti nga rruga është plagosur një 52-vjeçar. Sipas burimeve të policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Balldre, kur mjeti tip “Benz” ka dalë nga rruga duke u përplasur jashtë saj. Për pasojë është plagosur shtetasi Ymer Bruçaj, 52 vjeç, drejtues i automjetit të aksidentuar. Ai është transportuar në drejtim të spitalit rajonal për ndihmën e parë, ndërsa policia filloi hetimin e ngjarjes, e cila dyshohet se ka ndodhur nga shpejtësia e lartë e lëvizjes së mjetit si dhe nga terreni i lagësht si pasojë e reshjeve të shiut. I plagosuri mësohet se po udhëtonte drejt një fshati në momentin kur humbi kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga.
12 Mars 2010