I gjenden 442 gramë Cannabis, në pranga i riu
LUSHNJË – Pranga të riut, iu gjetën 442 gramë Cannabis sativa. Forcat e Policisë së Lushnjës kanë kapur në flagrancë 25-vjeçarin Dilaver Kajdo, lindur dhe banues në këtë qytet, pasi u kap me një sasi bimësh narkotike Cannabis sativa, me peshë 442 gramë. Arrestimi i këtij personi u bë për veprën penale “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”,. Sipas informacioneve të mbledhura nga Policia e Lushnjës rezulton se Kajdo ishte një shitës lëndësh narkotike dhe se sasinë e drogës e mbante me vete. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së qytetit për veprime të mëtejshme.
Zbulohen arsenal armësh, hetohet Bujar Dumbo
KORÇË - Një armë zjarri dhe lëndë eksplozive janë gjetur në banesën e një personi, për të cilin kanë nisur hetimet. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Bujar Dumbo, 43 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë pistoletë e tipit “Zastava”, një kallëp tritoli, njëmbëdhjetë fishekë pistolete kalibri 8 mm, dy karikatorë bosh të pistoletës tip “TT” dhe një dorezë metalike (kasketë). Policia njofton se po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, por nuk jep detaje për prangosjen e personit që posedonte armën dhe lëndët shpërthyese.
Nuk i kthen lekët, ndiqet penalisht
KORÇË – I merr 190 mijë lekë një personi dhe nuk ia kthen, hetohet për mashtrim Sokol Kosti. Policia e qytetit juglindor bën të ditur se ka filluar hetimet për veprën penale të “mashtrimit” në gjendje të lirë në ngarkim të 57-vjeçarit Kosti. Burimet policore sqarojnë se ndaj tij është bërë kallëzimi nga shtetasi E. S., 36 vjeç, sipas të cilit, Sokol Kosti që në muajin janar 2010 i ka marrë një shumë prej 190 000 lekësh të rinj, të cilat aktualisht nuk pranon t’i kthejë, por ia mohon ato. Materialet u kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.
12 Mars 2010