Greqia miraton ligjin për dhënien e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve
Albert Gjoka
ATHINË – Megjithëse në një kohë të vështirë, Parlamenti grek aprovoi dje në parim projektligjin e qeverisë për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve të lindur në Greqi apo me 6 vjet nëpër shkollat greke dhe të drejtën e votës e të zgjedhjes për prindërit e tyre me qëndrim të ligjshëm 5-vjeçar. Pwr rregullimin e ri ligjor, i cili ngjalli debat të ashpër politik dhe publik me ndryshimin cilësor që sjell në statusin e imigracionit, votuan 170 deputetë të pozitës dhe partisë së majtë “Siriza” dhe kundër tij 86 deputetë të opozitës së djathtë dhe asaj nacionaliste. Megjithëse në kohë krize, qeveria e majtë e PASOK-ut është shprehur e vendosur për të ndjekur politikat liberale për emigracionin, duke i konsideruar ekstra-komunitarët si pjesë të zgjidhjes së problemeve të brendshme të Greqisë.
Miratimi
Parlamenti i Greqisë shënoi hapin e parë në rrugën për përmirësimin e kuadrit ligjor për emigrantët. Paketa ligjore e kryeministrit Papandreu u jep të drejtën e marrjes së nënshtetësisë dhe të drejtën e votimit emigrantëve. Drafti i miratuar dje në parim ka kaluar me procedurë në mbledhjen e qeverisë më datë 23 dhjetor. Gazeta “Albania” sjell të plota të gjitha pikat e draftit ligjor për marrjen e nënshtetësisë dhe kritereve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’u zgjedhur. Kjo paketë është pjesë e platformës që kreu i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, prezantoi në zgjedhjet e parakohshme. Në këtë amendament jepen të gjitha detajet se si mund të marrin të drejtën e nënshtetësisë të gjithë fëmijët që lindin në vendin fqinj, apo që mësojnë për gjashtë vjet në shkollat greke, por që prindërit e tyre kanë 5 vjet qëndrim të ligjshëm.
Paketa
Në draftin e miratuar në parim hapet rruga e marrjes së nënshtetësisë për një kategori emigrantësh dhe fëmijët e tyre, të cilët plotësojnë disa kritere. “Të gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi dhe kanë kryer deri në gjashtë vjet mësimet në sistemin arsimor vendas, kanë të drejtë të bëhen shtetas grekë”, - thuhet në paketën ligjore. I vetmi kusht është që njëri nga dy prindërit të ketë pasur qëndrim të ligjshëm në Greqi për pesë vjet rresht. Kjo do të thotë që tash e tutje, fëmijët e emigrantëve mund ta marrin nënshtetësinë që në lindje, ndërsa pjesa më e madhe ka të drejtë të aplikojë sapo të mbushë moshën 18 vjeç. Dhënia e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve dhe pjesëmarrja e prindërve të tyre në zgjedhjet për pushtetin lokal ishte një angazhim parazgjedhor i socialistëve, të cilët erdhën në pushtet më 4 tetor. Paketa ligjore parashikon edhe ndryshime në Kodin e Nënshtetësisë, ku tashmë do të përcaktohet se të drejtën për të aplikuar për nënshtetësi greke e ka çdo emigrant që mbush pesë vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi.
E drejta e votës?
Pjesë e platformës së maxhorancës aktuale të Greqisë është edhe pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhjet për pushtetin lokal, ku ata do të kenë të drejtën jo vetëm të votojnë, por edhe të zgjidhen në këshillat komunalë. Por, të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë vetëm emigrantët e pajisur me leje afatgjata, ose, sipas vlerësimit, rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të emigrantëve të ligjshëm me moshë madhore. (Më poshtë janë të plota pikat e amendamentit të qeverisë së Papandreut për dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtën për t’u zgjedhur për të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Greqi). Parlamenti grek ende nuk ka nisur shqyrtimin për çështjen e dhënies së të drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur në proceset zgjedhore vendore në vendin fqinj.
Paketa e ndryshimeve ligjore që propozoi qeveria “Papandreu” hasi në kundërshtimin e Partisë Demokracia e Re. Sipas saj, Partia Koalicioni Qeverisës nuk ka strategji në çështjen e emigracionit. “PASOK-u, me mendësitë e tij të përcipta, ngatërron integrimin social të emigrantëve me dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtave politike”, - thuhet në reagimin e kësaj partie. Partia tjetër e djathtë, LAOS, e akuzon qeverinë se po tjetërson elektoratin dhe kërkon që të shtrohet në referendum mbarëpopullor çështja e dhënies së nënshtetësisë dhe të drejtave politike emigrantëve. Nga forcat e majta, Partia Komuniste vlerëson se qeveria zbaton taktikën e karotës për një kategori të kufizuar emigrantësh, ndërsa mban kamxhikun për shumicën e tyre. Koalicioni i së majtës i cilëson si hapa të nevojshëm masat e shpallura nga qeveria, por kritikon ndërlidhjen e tyre me zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Greqi, partitë politike paraqitën projekte me diferenca të konsiderueshme për emigrantët. Mes tyre kishte subjekte që kërkonin largimin e tyre nga Greqia.
PIKAT E LIGJIT PËR NËNSHTETËSINË
Nënshtetësia
Kapitulli 1
Mundësia e marrjes së nënshtetësisë greke nga fëmijët e shtetasve të huaj që lindin apo ndjekin shkollën në Greqi
Neni 1
1.a - Fëmija i shtetasit të huaj që lind në Greqi dhe njëri prej prindërve banon në mënyrë të përhershme dhe ligjërisht në vend për pesë vjet rresht, merr me lindjen e tij nënshtetësinë greke, pasi prindërit parashtrojnë deklaratë të përbashkët dhe kërkesë për regjistrimin e fëmijës në regjistrin e gjendjes civile të bashkisë së vendbanimit. Nëse fëmija ka lindur para përmbushjes së afatit 5-vjeçar të qëndrimit të ligjshëm të prindit, deklarata e mësipërme dhe kërkesa e regjistrimit paraqitet me mbushjen e periudhës pesëvjeçare të qëndrimit të ligjshëm në Greqi.
2. Fëmijë të shtetasit të huaj që kanë ndjekur tri klasat e para të arsimit të detyrueshëm në shkollë greke, në Greqi dhe kanë banim të përhershëm në vend, e marrin nënshtetësinë me mbushjen e moshës së maturimit, atëherë kur paraqet kërkesë për regjistrim në regjistrin e gjendjes civile të bashkisë së vendbanimit; afati më i largët është brenda tre vjetëve që nga mbushja e moshës 18 vjeç. Nënshtetësinë greke e përfiton me deklaratë të përbashkët të prindërve edhe fëmija i shtetasit të huaj që ka plotësuar arsimimin në të paktën gjashtë klasë të shkollës greke në Greqi.
3. Nëse deklarata dhe kërkesa e regjistrimit në regjistrin e gjendjes civile të bashkisë së vendbanimit nuk dorëzohen në mënyrë të përbashkët nga prindërit deri në maturimin e fëmijës, atëherë fëmija e merr nënshtetësinë me deklaratë dhe kërkesë regjistrimi që ka të drejtë ta paraqesë vetë në bashkinë e vendbanimit; afati është brenda tre viteve që nga mbushja e moshës 18 vjeç.
4. Nënshtetësinë greke e merr që në lindje, pa qenë nevoja e deklaratës dhe kërkesës nga ana e prindërve kushdo që lind në territorin grek përderisa:
A. Nuk merr nënshtetësi tjetër dhe as mundet të marrë me deklaratë të prindërve pranë autoriteteve të huaja të një vendi tjetër.
B. Është me nënshtetësi të panjohur.
C. Njeri nga prindërit ka lindur në Greqi dhe banon në mënyrë të përhershme në Greqi që nga lindja e tij.
12 Mars 2010