Rrëshqet dheu, shkatërrohen 5 shtëpi
BERAT – Reshjet e shumta të shiut në qytetin e Beratit kanë sjell dhe problemet e para në këtë qytet. Pesë banesa janë shembur si pasojnë e rrëshqitjes së tokës në fshatin Nishovë të këtij qytetit. Si pasoj e rrëshqitjeve të dheut, pesë shtëpitë janë bërë të pabanueshme dhe pjesëtarët e këtyre familjeve kanë mbetur në qiell të hapur. Fatmirësisht nuk shënohen të lënduar por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Specialistët thonë se në këtë zonë kanë devijuar edhe ujërat nëntokësore, çka kanë ndihmuar rrëshqitjen e dherave. Rreth 100 banorët e fshatit Nishovë i tremben vazhdimit të rrëshqitjeve dhe kërkojnë ndihmën e nevojshme nga ekspertë gjeologë.
Kodra e Currilave “zbret në det”, shembet lokali
DURRËS – Prerja e pyjeve dhe zhveshja e kodrave nga pemët, duket se po japin shenjat e para të alarmit. Rasti më i fundit është shënuar në qytetin e Durrësit. Bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, sasi të mëdha balte kanë marrë përpara një lokal dy katësh të ndërtuara në zonën e Currilave. Për shkak se Kodra e Currilave është tërësisht e zhveshur, erozioni ka shkaktuar shembjen e vazhdueshme të tokës duke dëmtuar rëndë ndërtesat në atë zonë si dhe duke bllokuar edhe një korsi të rrugës. Pak ditë më parë Bashkia e Durrësit mori masa për të hapur rrugën por ajo është bllokuar sërish ditën e djeshme. Mësohet se gjatë kohës së shembjes, në lokalin e dëmtuara nuk ka pasur njerëz duke shkaktuar kështu vetëm dëme materiale.
METE, grup pune për statusin e minatorit
Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka njoftuar dje se ka ngritur një grup pune për studimin e mundësive konkrete për realizimin e statusit të minatorit. Në krye të grupit të punës është zv.Ministri i Energjetikës Neritan Alibali, por në përbërje të këtij grupi do të jenë dhe të tjerë funksionarë si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, etj. Grupi i punës deri në 5 prill duhet të ketë përfunduar studimi për mundësitë e realizimit të statusit të minatorit si dhe t'i paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi. Për realizimin e detyrave të përcaktuara në urdhrin e Kryeministrit, grupi i punës do të shfrytëzojë praktikën e deritanishme lidhur me Statusin e Minatorit. Në përfundim të punës për hartimin e dokumenteve mbi statusin e minatorit, grupi i punës do të konsultohet me faktorët e interesit.
Rriten prurjet e ujit në kaskadë, hapen portat e Vaut të Dejës
KESH-i ka hapur dje portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës, si pasojë e prurjeve të shumta që kanë ardhur këto ditë nga dy lumenjtë Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Në liqenin e këtij hidrocentrali niveli i ujit ka arritur në 75,19 metër, ndërsa prurjet janë 20 metër kub në sekondë. Kjo situatë ka detyruar KESH-in që të hapë të mërkurën në darkë portat e këtij hidrocentrali nga ku shkarkohen 300 metër kub ujë në sekondë. Në Fierzë niveli i ujit është 293,75 metër ndërsa prurjet janë 500 metër kub në sekondë. Në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit ka arritur në 170,5 metër nga 175 që është niveli maksimal i lejuar. Prurjet në këtë hidrocentral janë 110 metër kub në sekondë. Aktualisht KESH-i nuk ka marrë vendim nëse do të hapë edhe portat e Fierzës dhe të Komanit, por deklaron se gjendja është nën kontroll dhe situata është e qetë.
12 Mars 2010