E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harxhi kërkon njohjen e Kosovës nga Lindja e Mesme

Autori i Lajmit: Redaksia
Në një tur që po zhvillon në Lindjen e Mesme, delegacioni shqiptar i kryesuar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi ka mbërritur në Republikën e Libanit. Në Bejrut Harxhi u prit nga Kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, nga Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, Gjenerali i Forcave të Sigurisë së Libanit, Ashraf Rifi, Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Mohamed Safadi si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Libanit, ambasadori Uilliam Habib. Gjatë takimeve u diskutua rreth marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Libanit, nevojës për intensifikimin e tyre dhe rreth nënshkrimit të disa marrëveshjeve dypalëshe si ajo për nxitjen e investimeve dhe heqjen e taksimit të dyfishtë, marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit dhe marrëveshja në fushën e turizmit dhe të aviacionit civil. Gjithashtu Harxhi i parashtroi Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit të Libanit nevojën për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, si një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Pala libaneze tregoi mirëkuptim për çështjen e njohjes së Kosovës duke shpresuar që së shpejti edhe Libani do ti bashkohet shteteve që e kanë njohur atë. Kryeministri libanez Hariri shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Shqipërinë së bashku me një grup investitorësh nga Libani ndërkohë që Parlamenti i Libanit ka lajmëruar krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë, Liban-Shqipëri dhe hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Tripoli dhe Bejrut. Ndërsa gjatë vizitës në Damask, Harxhi u takua në Ministrinë e Punëve të Jashtme me homologun e saj Al Mura. Ajo i paraqiti atij pikëpamjet e qeverisë shqiptare lidhur me nevojën për intesifikimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Sirisë. Në takim u fol për disa marrëveshje në fushën ekonomike, të turizmit dhe rreth protokolleve të përbashkëta të bashkëpunimit që priten të nënshkruhen së shpejti midis Shqipërisë dhe Sirisë. Harxhi gjithashtu i parashtroi palës siriane domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, duke përmendur faktin se janë tashmë 63 shtete të botës që e kanë njohur atë dhe dy organizata të mëdha ndërkombëtare, mes të cilave 11 janë vende anëtare të Konferencës Islamike. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi dorëzoi gjithashtu një mesazh nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi drejtuar homologut të tij sirian, Bashar al-Assad. Një takim i veçantë iu rezervua zonjës Harxhi edhe nga një grup shqiptarësh të diasporës sonë në Siri, të cilët evidentuan nevojën për lidhje më të ngushta me shtetin amë. Së shpejti do të njoftohet edhe hapja e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Damask.

Ky lajm është publikuar: 23/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›