E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Ligji Antimafia synon goditjen ndaj krimit të organizuar

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas polemikave të shumta që shkaktuan amendimet e të ashtuquajturit ligj Antimafia, ish-ministri i kabinetit Berisha, dhe hartuesi i draftit, deputeti Enkeled Alibeaj, thotë se ndryshimet synojnë të thellojnë goditjen ndaj krimit të organizuar dhe jo të fuqizojnë policinë dhe prokurorinë. “Nuk u jepet aspak superfuqi, sepse çfarëdolloj veprimi i tyre do të kalojë në mënyrë kategorike në testin e gjykatës, dhe në gjykatë çdo individ do të duhet të provojë që pasurinë e vet e ka fituar me djersë”, - tha Enkeled Alibeaj, deputet i PD-së. Debati kryesisht u shkaktua nga neni i projektligjit që parashikonte që personave me një standard të pajustifikuar jetese, tiu sekuestrohet pasuria. Nen të cilin, mazhoranca e quan goditje ndaj krimit, ndërsa opozita si antikushtetues dhe rrezik për qytetarët. Por sa i zbatueshëm është ligji në kushtet e një ekonomie informale? “Individi duhet ti referohet të gjithë mjeteve të provueshmërisë siç përcaktohet në një nga kodet bazë, siç është kodi i procedurës civile. Mund të provohet me dokumentacion, me dëshmitarë, me të gjitha ato mjete, nuk është ky problemi. Ajo çfarë është e ligjshme, ngelet gjithmonë e ligjshme pavarësisht të themi një iluzioni që në këtë moment shqiptarët nuk kanë qenë kaq shumë të përgatitur kohë më parë për të dokumentuar pasurinë e tyre, jo”, - vijon Alibeaj. Kundër draftit përveç opozitës, janë shprehur shoqata e juristëve dhe prokurorëve.

Ky lajm është publikuar: 23/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›