E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harxhi, tur në Lindjen e Mesme



Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, zhvilloi një tur takimesh dypalëshe në Lindjen e Mesme. Harxhi zhvilloi vizita zyrtare në Republikën e Libanit dhe në atë të Sirisë. Gjatë takimeve u diskutua rreth marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Libanit, nevojës për intensifikimin e tyre dhe rreth nënshkrimit të disa marrëveshjeve dypalëshe si ajo për nxitjen e investimeve dhe heqjen e taksimit të dyfishtë, marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit dhe marrëveshja në fushën e turizmit dhe të aviacionit civil. Harxhi i parashtroi Kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit të Libanit nevojën për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, si një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Kryeministri libanez, Hariri, shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Shqipërinë së bashku me një grup investitorësh nga Libani, ndërkohë që Parlamenti i Libanit ka lajmëruar krijimin e grupit parlamentar të miqësisë Liban-Shqipëri dhe hapjen e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Tripoli dhe Bejrut. Ndërkohë gjatë vizitës në Damask, Harxhi u takua në Ministrinë e Punëve të Jashtme me homologun e saj, z. Al Mura. Gjatë takimit, znj. Harxhi paraqiti pikëpamjet e qeverisë shqiptare lidhur me nevojën për intensifikimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Sirisë. Harxhi gjithashtu i parashtroi palës siriane domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, duke përmendur faktin se janë tashmë 63 shtete të botës që e kanë njohur atë dhe dy organizata të mëdha ndërkombëtare, mes të cilave 11 janë vende anëtare të Konferencës Islamike. Në takim u fol për disa marrëveshje në fushën ekonomike, të turizmit dhe rreth protokolleve të përbashkëta të bashkëpunimit që priten të nënshkruhen së shpejti midis Shqipërisë dhe Sirisë. Harxhi dorëzoi gjithashtu një mesazh nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, drejtuar homologut të tij sirian, z. Bashar al-Assad. Një takim i veçantë iu rezervua zonjës Harxhi edhe nga një grup shqiptarësh të diasporës sonë në Siri, të cilët evidentuan nevojën për lidhje më të ngushta me shtetin amë. Së shpejti do të njoftohet edhe hapja e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Damask.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›