E Diel, 1 Nëntor 2026

Has, qindra banorë presin në Gjakovë zotin Haradinaj

Qindra banorë të rrethit të Hasit, veçanërisht të fshatrave të zonës së kufirit kanë udhëtuar të premten për në Gjakovë, siç bën të ditur një burim i Doganës së Qafë-Prushit, për t‘iu bashkuar festës së familjes dhe fisit Haradinaj për kthimin e Ramushit nga Haga. Nga fshati Vlahën, siç mësohet, janë organizuar një numër autoveturash dhe furgonë, ku një pjesë e fshatit ka udhëtuar familjarisht drejt Gjakovës në këtë "ditë të shënuar", siç e cilësojnë banorët kthimin e Haradinajt. Lidhja e veçantë dhe miqësia e këtyre banorëve me ish-komandantin e UÇK-së të zonës operative të Dukagjinit, ku bën pjesë edhe krahina e Hasit, përfshi pjesën e Shqipërisë, ka nisur para vitit 1999, atëherë kur kanë nisur përpjekjet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të larguar me armë pushtuesit nga vendi. Në vitet 1998-‘99, zona e Hasit e ndihmoi UÇK-në në mënyra të ndryshme deri edhe me dhjetëra djem që u rreshtuan në radhët e saj. Vetëm nga rrethi i Hasit kanë rënë për çlirimin e Kosovës 24 djem, të cilët sot njihen si Dëshmorë të Atdheut. Në fshatin Vlahën, në pranverën e vitit 1999 ka rënë dëshmor edhe një prej vëllezërve të Ramushit, trupin e të cilit e varrosën banorët e fshatit. 70-vjeçari Avdi Sokoli nga Vlahna tha dje se "Hasi do të festonte dy ngjarje të mëdha, që janë ftesa e NATO-s dhe lirimi i Ramush Haradinajt", i cili konsiderohet edhe për Hasin e Shqipërisë si hero i gjallë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›