E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeku: Ramushi, lideri i një opozite të fortë

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, e konsideron një zhvillim pozitiv për Kosovën pafajësinë e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj. Duke folur për VOA-n, Çeku thekson se Haradinaj do ta forcojë opozitën në vend...

Zoti Çeku, donim të merrnim fillimisht reagimet tuaja lidhur me vendimin e Hagës për të shpallur të pafajshëm zotin Ramush Haradinaj.

Ishte një lajm shumë i mirë për mua dhe për familjen e zotit Haradinaj, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Aq sa ishte lajm i mirë, ky ishte edhe një lajm i pritur, se të gjithë kemi qenë të bindur në pafajësinë e tij, të gjithë kemi qenë të bindur në pastërtinë e luftës së Kosovës dhe të çdo shqiptari gjatë kësaj lufte. Edhe një herë u dëshmua ajo që kemi thënë që nga dita e parë e ngritjes së aktakuzës ndaj zotit Haradinaj.

Tani që zoti Haradinaj kthehet në politikë, si pritet të ndikojë kjo në skenën politike të Kosovës. Ka zëra që mund ta forcojë opozitën aktuale.

Zoti Haradinaj ka qenë aktiv tërë kohën në politikë dhe është drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë politike që sot është në politikë. Është një lider shumë i rëndësishëm për politikën në Kosovë, për stabilitetin në Kosovë, për të ardhmen e Kosovës. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me luftën, por edhe emri i familjes së tij. Ai do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm. Besoj që edhe partia që ai drejton do të jetë edhe më e fuqishme dhe duke njohur atë, mendoj që çfarëdo roli që të luajë do të jetë në shërbim të vendit dhe proceseve e besoj se do të jetë një opozitë pozitive.

Të ndalemi tek ambiciet tuaja politike. Flitet që keni synime të krijoni një parti të re?

Nisma ime për një subjekt politik në Kosovë është një ndër arsyet përse jam në Uashington, që të konsultohem me drejtuesit e Departamentit të Shtetit lidhur me këtë nismë. Kam marrë vendim që të mbetem aktiv në skenën politike kosovare. Mendoj se gjatë këtyre viteve që kam qenë edhe në TMK, por sidomos gjatë viteve të fundit kur kam qenë në krye të qeverisë, i kam parë problemet, i kam prekur ato, kam parë edhe mundësi se si ato mund të zgjidhen. Mendoj se këtë vizion që kam për të ardhmen e Kosovës mund ta shpreh më mirë nëse vetë e udhëheq një subjekt politik, dizajnoj politikat dhe ia prezantoj opinionit. Gjithsesi nuk e kam për synim që me këtë projekt politik të vi sa më shpejt në pushtet, por synoj që duke drejtuar një subjekt politik të profilizuar me profil social-demokratik, që mendoj që i duhet Kosovës, t‘i sfidoj edhe partitë e tjera që të profilizohen politikisht, që të favorizohet më shumë programi dhe të relativizohet roli i liderit partiak dhe qytetarët ta njohin dhe të shikohet drejt programi politik e jo thjesht të shkojmë pas liderëve politikë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›