Ramush Haradinaj pritet në atdhe si hero
Ishin me qindra njerëzit që kishin dalë në aeroportin e Sllatinës, afër Prishtinës, për të pritur njeriun që rëndom njerëzit në Kosovë e thërrasin "Rambo". Personazhi i jetësuar nga Silvester Stalone në filmin e famshëm të Hollivudit duket se i përshtatet personit që në Kosovë mbahet mend për vendosmërinë e tij në luftë. Me dhjetëra makina dhe autobusë nga e gjithë Kosova, që kishin ardhur plot e përplot me mbështetës, kishin mbushur vendin. Ndërsa mediat gdhinë me titujt: "Një vit i mbarë për shqiptarët. Pavarësia e Kosovës, hyrja e Shqipërisë në NATO dhe lirimi i Ramush Haradinajt. Tri ngjarje pozitive me peshë në historinë e re të kombit". Valltarë me kostume popullore ekzekutonin pjesë të ndryshme në aeroportin e Prishtinës, duke u paraprirë minutave në pritje të komandantit. Një fotomontazh ku koka e dhisë i ishte vënë mbi krye synonte të përngjante me mitin e shqiptarëve, Skënderbeun. Turma brohoriste, ndërsa krahasimi zbulohej përmes një fotoje të madhe. Haradinaj zbriti nga avioni, ndërsa miqtë e tij të partisë kishin dalë për ta pritur. Trupat e TMK-së, të kryesuar nga komandanti i tyre Sulejman Selimi, i uruan mirëseardhjen. Edhe për ta ishte një ditë e madhe ajo e 3 prillit, ku një tjetër komandant i lartë i UÇK-së fitoi pafajësinë. Beteja me Hagën tashmë ka marrë fund, edhe pse dy ish-ushtarë të UÇK-së nuk kanë mundur ta fitojnë pafajësinë. Lahi Brahimaj në procesin e Ramushit dhe Hajredin Balaj në procesin ndaj Fatmir Limajt. "Jam i pafajshëm, ashtu siç vendosi drejtësia dhe lufta jonë ka qenë e pastër". Kjo ishte deklarata e vetme që lëshoi në aeroport ish-komandanti i zonës së Dukagjinit. I rrethuar nga roje dhe policë të shumtë, ai u nis drejt shtëpisë së tij në Prishtinë, ku e prisnin qindra njerëz të tjerë. Ndërsa posterat gjigantë me flamurin e ri të Kosovës dhe foton e tij shkruanin "Kosova të mirëpret". Pasi u takua me fëmijët e tij, që pothuajse nuk e njohin, ai u vu në dispozicion të mediave në shtëpinë e tij në lagjen "Dragodan". Ish-kryeministri u kthye në Kosovë, pas më shumë se tre vjetësh, që prej ngritjes së aktpadisë kundër tij. Ai deklaroi nga shtëpia e tij për mediat e huaja se do ta kishte realizuar edhe vizitën e tij në Beograd, sikur puna e tij si Kryeministër të mos ishte ndërprerë. Për sa u përket serbëve, ai tha se serbët e Kosovës duhet të punojnë së bashku me shqiptarët për të jetuar së bashku dhe ndërtuar një të ardhme në Kosovë. Ramush Haradinaj dhe Idriz Balaj u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Hagës për të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria, akuza që kishin të bënin me krime lufte ndaj civilëve serbë dhe shqiptarë, tortura e rrëmbime personash etj. Asnjë prej akuzave nuk u arrit të vërtetohej për ish-kryeministrin dhe mikun e tij të armëve, Idriz Balaj. 39-vjeçari ia doli të hedhë poshtë 37 akuzat për vrasje, tortura dhe përdhunime. Por Lahi Brahimaj nuk arriti ta marrë pafajësinë. Në orën 19:30, ish-kryeministri Haradinaj me një fjalim rasti iu drejtua qytetarëve të Kosovës nëpërmjet tre televizioneve kombëtare. Kthimi i Ramush Haradinajt ka një rëndësi të madhe jo vetëm për drejtësinë e luftës së UÇK-së, por edhe për vetë skenën politike në Kosovë. Ai pritet ta dinamizojë atë, duke krijuar një opozitë të vërtetë në Kuvend, e cila aktualisht pothuajse mungon. Haradinaj konsiderohet si një nga njerëzit më të fortë në Kosovë, ndërsa rikthimi nga Haga si i pafajshëm vetëm sa ia ka përforcuar këtë pozicion. Për sa i përket Kryeministrit aktual, Hashim Thaçit, flitet se nuk kanë raporte të mira, por ky i fundit vetëm një ditë përpara shpalljes së vendimit deklaroi se besonte në pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.