E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasa: Kam prioritet arsimimin profesional të të rinjve

 

Kandidati socialist në qarkun e Elbasanit, Skënder Hasa shpreh prioritetet e programit socialist për zonën në të cilën ai ka mbështetje, siç është rrethi i Peqinit. Hasa i jep përgjigje dhe akuzave që i bëhen nga kundërshtarët politikë për shkarkimin e tij, si ish-kryetar bashkie.
Cilat janë prioritet dhe objektivat tuaj për rrethin e Peqinit, si kandidat për deputet në këtë zonë?
Unë jetoj në qytetin tim bashkë me familjen dhe njerëzit e mi, ndjehem mirë, kam mbështetjen maksimale të banorëve dhe shprehem se një nga prioritetet e mia do të jetë bashkëpunimi me pushtetin lokal, pasi unë kam qenë një administrator lokal dhe e di fare mirë se sa të dobëta janë financat për të bërë punë publike në bashki dhe komuna. Krahas prioriteteve që duhet të kemi për investimet në infrastrukturë, për kanalizimet e ujërave të zeza, ujësjellësa, rrugë dytësore, do të kemi prioritet dhe punësimin e njerëzve. Zhdukja e papunësisë do të vijë sipas filozofisë dhe programit tonë. nxitjes së arsimimit të njerëzve, sidomos atë profesional. Ne do të japim mundësi që përmes shkollave profesionale dhe marrjes së një zanati, do të jetë më e lehtë që të rinjtë të zihen me punë dhe të përmirësojnë kështu dhe jetesën e tyre. Më konkretisht do të ketë një plan konkret për hapjen e shkollave profesionale në rrethin e Peqinit për elektricist, hidraulik, marangoz, mekanik, profesione që do të nxisin ofertën për punësim. Prioritet në programin e PS do të jetë dhe bujqësia. Ndikimi që do kemi në uljen e çmimeve të pesticideve, farërave, dhënia e naftës pa akcizë do të ndikojnë direkt në prodhimin dhe rritjen e nivelit e të ardhurave për fermerët. Gjithashtu qeveria e ardhshme do t’i kushtojë rëndësi të madhe krijimit të infrastrukturës për ruajtjen e prodhimit në frigoriferë dhe qendra grumbullimi etj. 
Ju vazhdimisht akuzoheni në fushatë nga kundërshtarët tuaj, si i shkarkuar nga Kryeministri Berisha nga posti i Kryetarit të Bashkisë Peqin. Si qëndron e vërteta e këtij shkarkimi?
Kjo është pjesë e luftës politike, gjë që unë e kuptoj. Nga ana tjetër, jam i qetë, mbasi elektorati im tashmë e di të vërtetën: Akuzat ndaj meje atëherë kanë qenë tërësisht me tendenciozitet politik. Njerëzit e qeverisë Berisha nuk ishin të qetë kur shihnin në atë kohë që ne po bënim investime në infrastrukturë, dhe në stadiumin e futbollit në Peqin, pavarësisht se strukturat qeveritare mundoheshin të na nxirrnin mijëra pengesa burokratike dhe të paarsyeshme që ne të dështonim. Unë nuk dua të zgjatem në detaje procedurale dhe ta bezdis lexuesin. E vërteta është se unë jam shpallur krejtësisht i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë në Elbasan dhe nga gjykata e apelit në Durrës. Unë jam një njeri që i respektoj verdiktet e gjyqësorit, ndryshe nga akuzuesit e mi, të cilët nuk kanë kurajon as të paraqiten përpara organeve të drejtësisë. Kjo është një qeveri e absurdeve. Unë kam vazhduar detyrën time si kryetar i bashkisë 7 muaj mbasi kishte ardhur urdhri i Berishës, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se urdhri ishte antiligjor. Më interesante është që në festat e fundvitit, kur mendohej se unë isha shkarkuar nga Berisha, unë mora prej zyrës së tij kartolinë urimi për festat e fundvitit, një tjetër provë kjo e absurdit të shkarkimit tim, i cili ishte krejtësisht politik. Për një gjë duhet të jeni të sigurt, nëse unë do të isha një njeri me precedent penal, unë në asnjë mënyrë nuk do isha zgjedhur për të kandiduar për një forcë politike si Partia Socialiste, objektivi themelor i së cilës është lufta kundër korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›