Lulzim Basha vazhdon turin e takimeve me banorët e Qarkut Elbasan

“Rruga Elbasan-Tiranë, projekti më i rëndësishëm që do ta bëjë Elbasanin pjesë të denjë të tripolarit”
Lulzim Basha kandidat për deputet i PD-së në qarkun e Elbasanit, i pari në listën shumë emërore për këtë qark, në vijim të takimeve elektorale, u ndal dje në lagjen "Qemal Stafa" të Elbasanit, ku në bashkëbisedim me banorët theksoi vëmendjen e qeverisë ndaj zhvillimit të turizmit. Duke u shprehur se, zonat malore të qarkut të Elbasanit, një pasuri për zhvillimin e turizmit në vend, në katër vitet e ardhshme do të kenë një infrastrukturë model, me qëllim tërheqjen e sa më shumë turistëve vendas dhe të huaj.
Pasi vuri në dukje se Shqipëria është një vend i vogël, por me mundësi të jashtëzakonshme, kandidati Basha renditi arritjet në fushën e turizmit në këto 4 vite të mandatit të parë qeverisës.
"Në vitin 2004, Shqipërinë e vizituan 265.000 turistë, ndërsa vetëm në vitin 2008, si rezultat i përmirësimit të imazhit të vendit dhe ndërtimit të infrastrukturës, Shqipërinë e vizituan 2.7 milion turistë", u shpreh Basha.
Më tej, ai prezantoi dhe projektet ekonomike që do të ndërmerren në mandatin e dytë qeverisës, ndërtimin e rrugës së re Tiranë- Elbasan dhe kthimin e ish- metalurgjikut në një park industrial, ku do të punësohen mijëra qytetarë të zonës.
"Rruga Elbasan Tiranë është projekti më i rëndësishëm që do ta bëjë Elbasanin pjesë të denjë të tripolarit Elbasan- Durrës- Tiranë", tha Basha, ku i siguroi se punimet për këtë rrugë do të nisin brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës.
...