E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolaudimi i makinave, Kompania franceze padi në gjykatë

Autori i Lajmit: red.
Kompania franceze SAS SAKAR, siç kishte paralajmëruar më parë, i ka kaluar për gjykim drejtësisë, dosjen e ankesave, lidhur me arsyet e padrejta të skualifikimit të ofertës së saj për marrjen me koncesion të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve.
Presidenti dhe Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë franceze, SAKAR SAS, Bernard Bourrier, ashtu siç kishte vënë në dijeni dhe Kryeministrin shqiptar i është drejtuar drejtësisë shqiptare. Z.Bourrier, në takimin me Kryeministrin shqiptar, bashkë me një grup biznesmenësh francezë më 21 prill të këtij viti, ka shprehur besimin, se Berisha do t i japë të drejtë kompanisë së tij. Të njëjtat kërkesa Bourrier i ka parashtruar dhe përmes një letre, drejtuar edhe njëherë Kryeministrit, ku sërish vihet theksi për drejtësi. Bourrier vë në dijeni kreun e ekzekutivit shqiptar, për shkeljet e barazisë në tender, të kryera nga kreu i Ministrisë së Transporteve, Sokol Olldashi. Duke marrë parasysh se çështja nuk mori zgjidhje përmes negociatash, as nga Kryeministri i vendit, Bourrier ndërmori hapin e fundit të paralajmëruar, duke hapur padi penale, jo vetëm në organet e drejtësisë së dy shteteve, Shqipërisë dhe Francës, por deri në organet ndërkombëtare të drejtësisë. Pritet që çështjen Bourrier ta bëjë prezent edhe në organizmat respektivë të Komunitetit Evropian, ku edhe Shqipëria është anëtare e asociuar.
Padia penale
SAKAR SAS ka paditur Ministrinë e Punëve Publike dhe Telekomunikacionit si dhe Agjencinë e Prokurimit Publik, me objekt: kundërshtimin e aktit administrativ, Njoftim Standard për Ofertuesin e Skualifikuar, nr. 340/1, dt. 21.01.2009 i MPTT; kundërshtimin e aktit administrativ Vendim Përfundimtar nr. 1140/13 dt. 21.4.2009 i APP. Gjithashtu, kompania franceze kërkon detyrimin e Autoritetit Kontraktues (Ministrisë) për të rishikuar procedurën e prokurimit. Për këtë, kërkon që të sigurohet padia duke vendosur pezullimin e procedurës “Dhënie me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”.
Letra drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë
E nderuar Gjykatë!
Paditësi është një shoqëri tregtare e së Drejtës Franceze, e cila ka marrë pjesë në procedurën e prokurimit “Dhënie me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove”, të zhvilluar nga Autoriteti Kontraktues, MPTT. Pasi ka kaluar fazën parakualifikuese, paditësi ka paraqitur ofertën teknike dhe atë ekonomike pranë Autoritetit Kontraktues dhe në datën 18.12 2008 është zhvilluar procedura përzgjedhëse, ku janë hapur edhe ofertat përkatëse të dy shoqërive, që ishin paraqitur pas kualifikimit. Pas paraqitjes së ofertave dhe dokumenteve shoqëruese të tyre, pala paditëse është njoftuar nga MPTT në datën 21.01. 2009 me një Njoftim Standard për Ofertuesin e Skualifikuar, se ishte skualifikuar nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës konkurruese. Në njoftimin përkatës jepeshin një sërë shkaqesh dhe argumentesh që, sipas Autoritetit Kontraktues përbënin shkaqe për skualifikimin e paditësit. Kundër këtij vendimi pala paditëse paraqiti një ankim administrativ në datë 23.1.2009 në përputhje me kriteret e ligjit nr. 9663, dt. 18.12.2006 “Për Koncesionet”, përpara Agjencisë së Prokurimit Publik, duke sqaruar të gjitha rrethanat dhe natyrën e dokumenteve që ishin paraqitur kryesisht në pjesën e ofertës teknike. Agjencia e Prokurimit Publik pasi ka marrë në shqyrtim ankimin administrativ, arsyeton në lidhje me shkaqet e skualifikimit të pretenduara nga AK dhe në përfundim të shqyrtimit administrativ APP ka vendosur që MPPTT si autoritet Kontraktues të bëjë rivlerësimin e procedurës së koncesionit sipas parashikimeve të nenit 25 të ligjit nr. 9663, dt. 18.12.2006 “Për Koncesionet”, pasi ka konsideruar se shkaqet për skualifikim nuk qëndronin.
Që nga ai moment, MPPTT si Autoritet kontraktues kishte detyrim për të rishikuar procedurën e konkurrimit në përputhje me konkluzionet e APP. Fakti është që në kushtet e një funksioni të shtrembëruar të administratës publike, MPPTT nuk zbaton vendimin e marrë ngas APP dhe nuk rishikon procedurat përkatëse. Fakti është që, pas një periudhe të gjatë kohe, në mënyrë të çuditshme APP merr një vendim të ndryshëm nga i pari dhe me vendimin nr.1140/13, dt. 21.4.2009 vendos mbylljen e hetimit administrativ duke e konsideruar se ka patur një shkelje në procedurën konkurruese që justifikon skualifikimin. Shkelja përkatëse ka të bëjë me paraqitjen e dokumentacionit që tregon pagimin e sigurimeve shoqërore në vendin e origjinës nga konkurruesi, si pjesë e ofertës teknike dhe ligjore. Paditësi e ka paraqitur këtë dokument sipas formës së ligjit francez dhe është e vërtetë, që ai nuk është i tre muajve të fundit nga momenti i dorëzimit të ofertës. Por për këtë ka një shpjegim juridik sipas ligjit të origjinës, përkatësisht Kodit të tregjeve publike Franceze, dokumenti i paraqitur merret në një periudhë të caktuar të vitit dhe ka një datë të caktuar. Këtë fakt, shoqëria ia ka bërë të ditur AK edhe në momentin e prezantimit të ofertës. As AK dhe as APP nuk kanë dashur ta sqarojnë këtë moment, ashtu siç e kërkon ligji. Kjo gjetje është bërë vetëm me qëllimin e skualifikimit të paditësit. Në këto kushte, ne vërejmë se përveç faktit se dokumenti në fjalë nuk mund të jetë shkak për skualifikim në bazë të Dokumenteve të Tenderit, në çdo rast vendimi i datës 21.4.2009 është i kundërligjshëm, për shkak se ky hetim administrativ kishte përfunduar më parë me vendimin për rishikim të procedurës dhe nga ana tjetër, APP për dhënien e këtij vendimi ka një afat prej vetëm 20 ditësh në kuptim të nenit 25 të ligjit nr. 9663, dt. 18.12.2006 “Për Koncesionet”. Nga ana tjetër, i kërkojmë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë që të vendosë sigurimin e objektit të padisë duke vendosur pezullimin e procedurës “Dhënie me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove” zhvilluar nga Autoriteti Kontraktues, MPPT. Këtë kërkesë e mbështesim në faktin që administrata publike ka vepruar në vijimësi në mënyrë të njëanshme pa marrë në konsideratë detyrimet ligjore që ka në procedurat e prokurimeve publike. Vazhdimi i mëtejshëm i procedurës, duke pasur parasysh edhe faktin që mund të kemi edhe lidhjen e kontratës së koncesionit, e bën të pamundur realizimin e të drejtave për t u konsideruar në mënyrë efektive si konkurrues në këtë konkurrim publik. Sipas ndryshimeve të fundit të Kodit të Procedurave Civile i kërkojmë Gjykatës që të caktojë seancën për marrjen ne shqyrtim të kërkesës për sigurimin e padisë brenda 5 ditëve nga dorëzimi i kërkesës. Në përfundim, kërkojmë pranimin e padisë, duke u urdhëruar shfuqizimi i aktit administrativ, Njoftim Standard për Ofertën e Skualifikuar, nr. 340/1, dt. 21.01. 2009, i MPPT, i aktit administrativ Vendim Përfundimtar, nr. 1140/13, dt. 21.4.2009 i APP. Detyrimi i Autoritetit Kontraktues MPTT për të rishikuar procedurën e prokurimit.
Për paditësit Av. Arjan Salati/ Av. Shega Ligori

Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›