E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta e Nano në tryezën e së majtës: Pse duhet të bashkohemi për të larguar Berishën

 

Aristir Lumezi

E majta mbetet e hapur për bashkëpunim dhe bashkërendim për të larguar Sali Berishën. Ky ishte mesazhi i dalë nga tryeza e të majtës, një iniciativë e kreut të LSI-së LSI, Ilir Meta për të mbledhur faktorët e majtë, institucionalë dhe tradicionalë, për të koordinuar përpjekjet me qëllim largimin e Berishës dhe fitoren e së majtës. Ashtu siç ishte parashikuar, tryeza u mblodh dje në mesditë, në “Hotel Tirana”. Kryetari i LSI, Ilir Meta, ish-kryetari i PS Fatos Nano dhe kryetari i PSV’91, Petro Koçi u takuan dje së bashku, për më shumë se një gjysmë ore dhe në përfundim të këtij takimi e më pas konsultimit të së gjithë faktorëve politikë të pranishëm, u konkludua me një qëndrim të përbashkët përmes së cilit, të gjithë angazhohen të koordinojnë dhe bashkërendojnë përpjekjet dhe veprimet me qëllimin final largimin e Kryeministrit Berisha nga pushteti. Kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh dje se ftesa mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në largimin e Berishës. “Bashkëpunimi dhe koordinimi për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit është mëse i domosdoshëm dhe në këtë drejtim unë bëj apel gjithë strukturave të LSI dhe të PS dhe gjithë forcave të tjera opozitare të koordinojnë në bazë, të koordinojnë në komisionet e qendrave të votimit, të qendrave të numërimit, që të mbrohen në mënyrë sa më efikase standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vullneti im dhe i LSI ka për qëllim bashkëpunimin në radhë të parë për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve në 28 qershor dhe koordinimin e të gjithë faktorëve të majtë për fitoren sa më bindëse dhe të sigurt të opozitës në tërësi dhe të majtës progresiste në zgjedhjet e 28 qershorit. I gjithë projekti ynë është integrues dhe në këtë drejtim ftesa mbetet e hapur dhe besoj se si në të kaluarën edhe në të ardhmen z.Rama do të jetë pjesë e projekteve tona integruese”, tha Meta.
Nano
Ish-kryetari socialist, Fatos Nano e cilësoi papërgjegjshmëri politike mungesën e kryetarit aktual socialist Edi Rama në tryezën e të majtës, e cila synon largimin e Berishës nga pushteti. “Unë besoj se nëse je politikan i përgje-gjshëm, nuk mund t’i përgjigjesh iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca Obama-Hillari Klinton, por megjithatë Obama dhe Hillari Klinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë mesa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën”, tha Nano. Ai u shpreh se ndodhet në këtë tryezë si përfaqësues i socialistëve në të gjithë vendin.

Nano
Ish-kryetari socialist, Fatos Nano ishte preciz në takimin e djeshëm në “Hotel Tirana”. Ndryshe nga herët e tjera, kur vonohej disa minuta, Nano në orën 12:00 parkoi makinën që vazhdonte ta ngiste vetë para hyrjes së hotelit në qendër të Tiranës dhe u ngjit në katin e dytë, ku ishte dhe salla në të cilën u zhvillua tryeza e përfaqësuesve të së majtës. Edhe dje ai tregoi se vazhdon ta ketë hobi drejtimin e makinës.

Takimi
Tryeza e djeshme përbënte dhe takimin e parë të Fatos Nanos me Ilir Metën, që prej largimit të kreut të LSI-së nga PS. Ky takim ishte paraprirë nga deklarata në distancë reciproke mes tyre, ku Nano e ka cilësuar Metën si një socialist të vërtetë, ndërsa Meta e ka cilësuar Nanon si faktor të rëndësishëm të së majtës me ndikim tek ajo.

Koçi: Objektivi ynë, largimi i Berishës
Kryetari i PSV91 tha dje se objektivi i së majtës duhet të jetë i unifikuar, largimi i Berishës. “Mendoj se kjo tryezë mbetet e hapur dhe unë bëj thirrje për reflektim të gjithë faktorëve tek e majta, është koha për të ndërprerë edhe diversionin dhe për të kapërcyer historitë e përçarjes të së majtës. Mendoj se objektivi i vendit për një qeverisje ndryshe dhe objektivi i gjithë socialistëve, nxjerrja e Sali Berishës në mënyrë përfundimtare në pension, kërkon reagim të përgjegjshëm dhe jo mesazhe përjashtuese dhe përçarëse”, tha Koçi.

Socialistët
Tryeza e djeshme e të majtës kishte mbledhur shumë socialistë bashkë, në një tryezë që katër vjet më parë dukej e pamundur të zhvillohej, pasi ishin shndërruar në kundërshtarë politikë. Përfaqësues të LSI-së, dikur anëtarë të PS-së, por dhe përfaqësues të PSV’91, që u shkëputën pak muaj më parë nga PS nën drejtimin e Edi Ramës, ishin bashkë si dikur dhe pse për disa vite pozicionet e tyre ishin ndarë mes PS dhe LSI.

Meta: Jemi e vetmja parti me plan konkret për të zgjidhur punësimin
“LSI është e vetmja parti në këto zgjedhje, që vjen para të gjithë shqiptarëve me një Plan për Veprim për të zgjidhur në radhë të parë problemin e punësimit dhe me një plan të qartë për të ulur koston e jetesës”. Kështu iu drejtua kreu socialist qytetarëve të Elbasanit që kishin mbushur sheshin kryesor të këtij qyteti që shprehnin besimin në fitoren e LSI që do t’i japë mundësinë kësaj force dhe Ilir Metës për realizimin e Planit për Veprim, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza për ta futur në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Kreu i LSI, tha se “ne do ta bëjmë Elbasanin një qytet model të punësimit për zhvillimin e biznesit fason dhe zhvillimin e turizmit, kulturës, pasi Elbasani ka qenë gjithnjë një nga qendrat më të fuqishme të kulturës dhe të arsimit tonë kombëtar. Në fjalën e tij Ilir Meta u ndal në domosdoshmërinë e votës për këtë forcë politike. “Të gjitha votat duhet të jenë për LSI, të gjitha votat duhet të jenë për projektin e Ilir Metës, për të integruar të majtët dhe të gjithë progresistët e Shqipërisë, të gjitha votat për programin tonë për punësim. Jam i bindur se më 28 qershor Elbasani do të jetë gati për të filluar një periudhë të re, atë të daljes një herë e mirë nga varfëria atë të punësimit, sjelljes dhe vendosjes së standardeve evropiane në Elbasan, Librazhd, Gramsh e Peqin”, tha Meta. Kreu i LSI-së u kërkoi të gjithëve që të votojnë numrin 24, sepse vetë programi ambicioz i LSI kërkon punë 24 orë në 24 orë për t’i hapur punë dhe perspektivë Elbasanit dhe gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›