Emigrantët dhe importet forcojnë vlerën e lekut
Fabiola Çela
Monedha vendase ka fituar terren ndaj euros. Në agjencitë e këmbimit valutor një euro këmbehet me 129.5 lekë. Shkak për këtë rënie të monedhës evropiane janë emigrantët, ulja e importeve si dhe rritja e prodhimit vendas.
Kursi i këmbimit
Pas shumë muajsh zhvlerësimi në treg, leku është forcuar ndaj monedhës evropiane. Për herë të pas disa muajsh monedha evropiane ka rënë poshtë nivelit 130 lekë. Dje në pikat e këmbimit valutor një euro këmbehej me 129.5 lekë ose rreth 3.5 lekë më pak se sa dy javë më parë. Një ndër shkaqet për forcimin e lekut në tregun valutor është kthimi i emigrantëve për pushime. Kjo ka bërë që sasia e eurove në treg të rritet duke sjellë edhe zhvlerësimin e saj ndaj lekut. Shkak tjetër për zhvlerësimin e lekut është edhe kërkesa që ka ekonomia për këtë valutë. Për katërmujorin e parë importet në euro ka rënë me rreth 6 për qind krahasuar me një vit më parë, duke ulur kërkesën për këtë monedhë. Zhvlerësimi i euros është një lajm i mirë për të gjithë ata që kanë marrë kredi në euro. Kjo pasi me forcimin e monedhës vendase të gjithë ata që kanë marrë kredi në euro, do të paguajnë më pak për këstet e tyre mujore. Aktualisht norma bazë e interesit për lekun është 5.75 për qind. Vendimi për uljen e saj u mor në janar të këtij viti. Ndërkohë që shumë prej bankierëve janë të mendimit se banka e Shqipërisë duhet të ulë sërish normën bazë të interesit.