E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasanbelliu: Po ndërtojmë një Teutë që synon titullin

"Po ndërtojmë një ekip që synon titullin". Kështu është shprehur për "Sportin shqiptar" presidenti i klubit të futbollit të "Teutës", Edmond Hasanbelliu. Në një bisedë të djeshme, presidenti Hasanbelliu do të komentonte zhvillimet më të fundit në merkaton e Teutës, klimën në vendgrumbullimin e ekipit në qytetin e Pogradecit, si dhe atmosferën e përgjithshme në këtë fazë përgatitore...
- Cili do të jetë objektivi i Teutës në sezonin e ri futbollistik?
- Synimi ynë është që të ndërtojmë një ekip, i cili kërkon titullin. Kemi filluar në kohën e duhur të përgatitemi për të arritur këtë qëllim dhe mendoj se puna që kemi nisur do të vazhdojë me të njejtin ritëm për të arritur suksesin.
- A mund të konsiderohet ky, si një ndër ekipet më të fortë që kur kemi marrë presidencën?
- Do të jetë një ekip i fortë dhe me pretendime të qarta për titull.
- Cila ka qenë strategjia e merkatos së Teutës?
- Jemi përpjekur që të zhvillojmë një merkato cilësore, duke u bazuar në vlera dhe profesionalizëm.
- Cili është komenti juaj në lidhje me shpenzimet e mëdha që po bëni për të ndërtuar një ekip kampion?
- Është një detyrim që kemi ndaj tifozerisë dhe popullit të Durrësit për të ndërtuar një ekip që do të synojë trofeun e kampionatit. Do të jetë një objektiv serioz dhe i rëndësishëm për ne që besoj se do t'ja arrijmë.
- Si shpjegohet që merkato juaj është përqëndruar te futbollistë që luajnë në kampionatin shqiptar të futbollit?
- Nuk është përqëndruar vetëm te lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar të futbollit, pasi kemi dhe disa futbollistë të huaj. Ajo që mund të them unë është se kryesisht jemi bazuar të vlerat dhe cilësitë e futbollistëve. Kështu kemi afruar në ekip një trajner profesionist, si Sulejman Starova, i cili do të dijë ta drejtojë Teutën drejt suksesit.
- Cdo të thotë për ju afrimi në ekip i emrave të tillë, si Daniel
Xhafa, Vrapi, Devolli, Tetova, Brahja, etj., në gjirin e Teutës?
- E thashë edhe më parë, kemi afruar në ekip futbollistë cilësorë dhe të edukuar profesionalisht. Për cdo gjë është marrë mendimi i trajnerëve dhe profesionistëve. Ne vetëm ju kemi plotësuar kërkesat.
- Si shpjegohet që jeni nga ata presidentë, që i jepni dorë të lirë
trajnerëve?
- Ata janë profesionistë dhe atyre ju duhet besuar. Vetëm kështu mund të funksionojnë gjërat.
- Cila është vlera financiare e merkatos së deritanishme të Teutës?
- Është herët për të folur për këtë, pasi merkato nuk mund të quhet e mbyllur.
- Cila do të jetë befasia e re e kësaj merkatoje?
- Nuk mund të flas për emra, por jemi në kërkim të një sulmuesi tjetër cilësor. Krahas Daniel Xhafës, Mancakut dhe të rinjve të talentuar që kemi, na nevojitet dhe një sulmues cilësor.
- A është ky një reagim i fortë i juaji, pas nëj sezoni problematik si ai i kaluari?
- Sezoni i kaluar ishte një sezon i pafat për ne, ndërkohë që në sezonin e ri ne do të kërkojmë titullin. Kemi ndërtuar një ekip për të fituar dhe besoj se do t'ja arrijmë kësaj.
- A jeni i kënaqur me fazën përgatitore në Pogradec?
- Po, nga informacionet që kam cdo gjë po shkon normalisht dhe po punohet seriozisht për ndërtimin e një ekip cilësor.
- Si do ta komentoni faktin që tifozeria ju është mirënjohëse për këtë që po bëni për futbollin në Durrës?
- Nëse ka një qëllim që po investohet për këtë ekip është afrimi i
tifozerisë në stadium. Sado kosto të lartë që të ketë kjo, them se ia vlen, pasi futbolli është tepër i rëndësishëm për durrsakët. Vetëm me një ekip cilësor ata do të rikthehen dhe do të mbushin shkallët e stadiumit "Niko Dovana".
Llambi Kallco
Sporti Shqiptar

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›