Apolonia, në lëvizje pas humbjes me Tiranën
Humbja në miqësoren ndaj bardhebluve, e zhvilluar në "Selman Stërmasi", ka krijuar probleme në kampin bardhëjeshil. Jo se me këtë humbje erdhi fundi i botës, por se ndeshja ka nxjerrë probleme në repartet e skuadrës fierake. Nëse pjesa e parë ka përfunduar në shifrat e barabarta 1 1, ku për fierakët ka qenë Kule që ka barazuar, pjesa e dytë i ka vënë në mendime drejtuesit e skuadrës. Në prononcimin e tij, drejtori ekzekutiv i klubit "Apolonia", Kujtim Hajdari, thotë: "Pavarësisht humbjes së pësuar skuadra në pjesën më të madhe të kohës luajti e mobilizuar. Megjithatë, ndeshja që zhvilluan ndaj Tiranës nxorri në pah disa të meta të skuadrës sonë. Unë do të vecoja 45' e para, kur ne jo vetëm barazuam rezultatin, por krijuam edhe raste të tjera për shënim. Eksperienca e futbollistëve tiranas vendosi dukshëm në pjesën e dytë, por megjithatë, unë do të pranoja edhe disa dobësi të shfaqura në repartin e mbrojtjes, të cilat kundërshtari i shfrytëzoi mirë. Gjithsesi nuk kemi pse të të dekurajohemi, pasi skuadra është ende me një program të ngjeshur dhe ajo akoma nuk ka ardhur në formën e saj më të mirë. Sot ne kemi programuar edhe një takim tjetër me skuadrën dinamovite, për të vazhduar pastaj me përfaqësuesen Shpresa".
Gjithsesi, humbja e pësuar ka vënë në lëvizje strukturat drejtuese të fierakëve dhe menaxherët e klubit janë vënë në gatishmëri nr.1 për të sjellë disa emra të tjerë në skuadër. Për momentin edhe pse nuk jepen emra, ajo që duhet theksuar është se do të jenë futbollistë nga qytetet afër Fierit, ku pista më e mundshme janë disa futbollistëve lushnjarë, të cilët kanë rënë parimisht dakort për të firmosur për skuadrën bardhëjeshile. Në opinionin sportiv fierak, lëvizjet e ngadalta në merkato nuk po priten mirë. "Ka ardhur koha,- thotë kryetari i Shoqatës Miqtë e Apolonisë, Pirro Toska,- për të afruar emra cilësorë, në mënyrë që skuadra të jetë e plotësuar dhe e gatshme për ta përballuar me sukses superligën. Jo se futbollistët që kemi në dispozicion nuk janë të aftë, por vetë mosha tyre e re, patjetër kërkon një ndërthurje edhe me disa futbollistë me eksperiencë",- përfundon Toska.
Arber Emiri
Sporti Shqiptar