E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhyra: Shkumbini po e merr veten shpejt

Shkumbini po e kryen fazën përgatitore në mjediset e klubit në Peqin, por temperaturat e larta të këtyre ditëve nuk janë bërë pengesë për trajnerin Vasil Bici. Ai po u jep ngarkesat e duhura futbollistëve dhe atmosfera në prag të kampionatit të ri, duket mjaft e mirë. Futbollistët dhe drejtuesit peqinas, janë të gjithë të angazhuar për t'i shfrytëzuar sa më mirë ditët e mbetura. Sipas mbrojtësit Kelmend Xhyra, Shkumbini po e merr gradualisht formën e tij të plotë. "Përforcimet e bëra ditët e fundit tregojnë qartë se po punohet për një skuadër të fortë. Po mundohemi të fitojmë kohën e humbur dhe natyrisht që barra më e madhe i ka rënë trajnerit Bici," - ka thënë 22-vjecari Xhyra. Për të, përforcimet e bëra deri tani, që nga portieri Spaho, e deri te Sefa, Bubeqi etj, premtojnë për një Shkumbinin dinjitoz në sezonin e ri. "Lojtarët e ardhur, falë dhe mjedisit të ngrohtë që kanë gjetur në Peqin, kanë arritur të përshtaten mjaft mirë me ekipin. Rol mjaft pozitiv në këtë drejtim ka luajtur trajneri Bici, por jo pak merita kanë edhe futbollistët peqinas, të cilët i kanë mirëpritur "jabanxhinjtë", kështu që nuk ka pse punët të mos shkojnë mirë," - theksoi më tej ish-lojtari i ekipit Shpresa, i cili i ka qëndruar besnik Shkumbinit. Ai nuk u largua edhe kur situata në kampin bardhekaltër dukej e pashpresë. Bashkë me disa lojtarë të tjerë, Xhyra filloi stërvitjen, nën drejtimin e sekretarit të klubit, Isaj, i bindur se situata e vështirë financiare do të kalonte shpejt. Dhe koha i dha të drejtë Xhyrës, Dervishit, Pashës etj. "Ne peqinasve na "djeg" më shumë për Shkumbinin dhe na takon të parëve të mendojmë e sakrifikojmë për të. E filluam stërvitjen me sekretarin e klubit, duke mos patur asnjë garanci financiare. Ishim të bindur se situata do të ndryshonte shumë shpejt, pasi i njohim mirë njerëzit në Peqin. Sportdashësit këtu sakrifikojnë vazhdimisht për futbollin. Nuk kaloi më shumë se një javë dhe situata ndryshoi për mirë. Ardhja e trajnerit Bici, i cili njihet mirë në Peqin, ishte hapi i parë se Shkumbini do të formohej shumë shpejt," - është shprehur në fund mbrojtësi Xhyra. Nën drejtimin e trajnerit Vasil Bici, po bëhet një punë e mirë dhe këto ditë pritet që ai të zgjedhë më të mirët. Trajneri lezhjan njihet si një përkrahës i talenteve të reja, gjë që ai te Shkumbini e ka bërë vazhdimisht.
Ali Halluli
Sporti Shqiptar

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›