E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasani: “Sulmet nga ata që çuan në falimentim Sat +”-in

Drejtori i “Tring Communications: “Nuk prisnim ndonjë dhuratë tjetër nga rivalët”. Liga e Kampioneve kthehet në Televizionin prestigjioz Vizion Plus e platformën “Tring TV”

Dash Frashëri

Liga e Kampioneve kthehet natyrshëm te “kampionët” e Televizionit më të suksesshëm shqiptar, Vizion Plus e te platforma më e re dixhitale “Tring Communications”. Askush nuk do ta besonte se “transferimi” (blerja e të drejtës televizive) i kompeticionit prestigjioz nga “Supersport” (me audiencë në rrudhje e sipër) te “Tring TV” (më modernia në teknologji e cilësi transmetimi në Shqipëri), do të nxirrte nga “arkiva” e aksionarëve të platformës së krijuar midis ish-aksionarit të “Sat +”-it e “bosëve” të tjerë, të gjithë “metodologjinë agresive” që solli shkatërrimin e të parës platformë “pronare” të Ligës së Kampioneve (francezi Zhyljen Rosh e Marsel Skëndo, i njohin fare mirë ato).
Dje në gazetat e afërta me pronarët e “Supersport”-it, “Shqip” e “Koha Jonë”, të shqetësuara për mungesën e theksuar të abonimeve në “Supersport”, synuan në mënyrë cinike e të shëmtuar të bënin presion mediatik jo vetëm mbi platformën konkurrente “Tring Communications”, por edhe për të terrorizuar sportdashësit me mungesën, sipas tyre, të Ligës së Kampioneve në ekranet televizive. “Supersport” e krijuar pas bashkimit të një grupimi aksionaresh të afërt me platformën “Digitalb” e njërit prej ish-aksionarëve të kompanisë së falimentuar “Sat+”, përdori gjerësisht togfjalëshin “blackout”, për të sulmuar përmes gazetave të lartpërmendura një nga grupet më serioze mediatike, që mesa duket ka nxjerrë jashtë loje platformën, së cilës po i bie interesi i shikuesve.
Sportdashësit e pasionuar shqiptare pas magjisë së Ligës së Kampioneve shijuan dje direkt emocionet e jashtëzakonshme të gjashtë nga tetë sfidat e ditës së parë të fazës së grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm evropian të klubeve. Nëse sezonin e kaluar fansat e futbollit kishin ndjekur direkt vetëm një ndeshje në Vizion Plus, tashmë përveç Panathinaikos-Inter (sërish në Vizion Plus), pesë të tjerat i ndoqën në platformën e re “Tring Communications”, me një imazh tejet cilësor e ngrohtësi në komentin e zërave të rinj, jashtë “çjerrjeve” që kishin mbizotëruar deri sezonin e kaluar te një platformë tjetër.
“Supersport”, që vitin e kaluar transmetoi ndeshjet e Ligës së Kampioneve falë një marrëveshje me Vizion Plusin,
Gazeta “Albania” kontaktoi me drejtuesin e “Tring Communications”, Igli Hasani. “Ka pasur shumë përplasje, incidente në gllabërimin e të drejtave televizive, që u kanë ndodhur kompanive të caktuara e kanë çuar deri në falimentimin e njërës prej tyre (“Sat +”), por të jenë të sigurt se kjo nuk do të ndodhë kurrë me ‘Tring Communications’. Ne jemi ndërtuar për të qenë liderë në treg”.

Zoti Hasani, Sezonin e kaluar Liga e Kampioneve ka qenë prezent edhe edicionin e kaluar në Vizion Plus, madje edhe finalja e saj është transmetuar në këtë televizion, për më tepër që ka pasur një kooperim midis Vizion Plusit e Supersportit. Përse ndodh ky sulm i porositur tani nga platforma Supersport?
Arsyeja është e thjeshtë dhe kuptimplote. I ka ikur përfundimisht një pjesë e konsiderueshme e tortës së teleshikuesve, i shikuesit tradicional i Ligës së Kampioneve, i cili tani e tutje, çdo të martë e të mërkurë do ta shohë atë te paketa “Tring TV”. Për të dhënë edhe një argument më shumë. Kjo është një luftë dy platformave dixhitale që janë në treg. Rivalët tanë janë duke përdorur të gjitha metodat në treg, përfshirë edhe ato të presionit të hapur, apo të veshur me ngjyrime mediatike. Unë personalisht do ta konsideroja atë një agresivitet të kotë e të padobishëm.
Blerja e të drejtës televizive të ndeshjes së Ligës të Kampioneve realizohet përmes një ankandi ku fiton ai që ofron shumë më të madhe financiare, por midis televizioneve apo platformave të mëparshme, ka ekzistuar edhe një luftë për mbijetese e deri të mosqenia e tyre më. A e konsideroni një përsëritje?
Kompeticioni është i hapur për të gjithë ato kompani që hyjnë në garë e kanë mundësi të blejnë. “Tring” ofroi më shumë. Dua të theksoj e qartësoj diçka shumë të rëndësishme për atë që kanë ndodhur në vitet e fundit. Ka pasur shumë përplasje, incidente në gllabërimin e të drejtave televizive, që u kanë ndodhur kompanive të caktuara e kanë çuar deri në falimentimin e njërës prej tyre (“Sat +”). Këto janë momente presioni, të cilat në një farë mënyre kanë krijuar precedentët e tyre dhe ndodhin herë pas here. Kjo nuk do të thotë aspak se ne duhet të nënshtrohemi presionit. Nuk prisnim ndonjë gjë më të mirë prej rivalëve tanë e lojtarë tregu, që kanë dëshmuar së vetëm në mënyrë agresive mund të mbijetojnë.
Në ç’kontekst e thoni këtë?
Kur them agresive nuk kam parasysh politikën e çmimeve në dobi të shikuesit, por agresive në marrëdhënie së pari me klientin, në pabesinë ndaj tyre, dhe së dyti në raport me kompetitorët që janë në treg. Lista e veprimeve të pandershme të tyre është e gjatë. Kanë vepruar si në kohën e vjetër me letra anonime. Sot është e vështirë të kesh monopol në një fushë të caktuar. E para nuk është ligjore dhe e së dyti, nuk mund ta kesh kur nuk ke mundësitë financiare. Janë këta që shesin me pagesë edhe ndeshjet e ekipit Kombëtar shqiptar të futbollit, tek ata fëmijë që kanë nëvojë për një idhull. Janë një grup njerëzish që përfitojnë financiarisht nga pasioni i shqiptarëve për të parë idhujt e tyre. Sulmi i tyre është frontal, por përpjekja e tyre është e dështuar.
Cilat janë disa nga ndryshimet që do të këtë Liga e Kampioneve në “Tring Tv”?
Ne dëshirojmë të ecim në gjurmët e Vizion Plusit, medias kryesore të grupit tonë mediatik. Kjo ka të bëjë me anën njerëzore. Do të kemi një staf zërash të freskët, të cilët së pari, nuk janë iritues për publikun, e së dyti krijojnë atë besim që kanë nevojë teleshikuesit ndaj një platforme televizive. Ne jemi të bindur për suksesin, prandaj konkurrentët tanë na kanë frikë.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›