E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina e Trebickës, prova kyçe për zbardhjen e enigmës

Ekspertë specialë amerikanë për këqyrjen e brendshme të mjetit. Analizimi metalurgjik pritet t’i japë përgjigje dinamikës së ngjarjes

Habjon Hasani
Përgjigjja shkencore lidhur me dinamikën e “aksidentit” që i mori jetën biznesmenit Trebicka pritet të merret nga “dëshmia” e mjetit “Nissan Patrol” që ai ngiste. Ekspertë hetues e kanë cilësuar ekspertimin e mjetit si një moment tejet të rëndësishëm dhe të padiskutueshëm për të zbardhur rrethanat dhe për t’u dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve serioze që ngrihen nga skena e vendit të ngjarjes. Por ekspertimi metalurgjik dhe kimik i makinës do të kryhet nga ekspertë amerikanë, të cilët njihen dhe si ekspertët më të mirë në analiza të këtij lloji. Makinës do t’i kryhet një ekspertim i hollësishëm nga brenda për të mbledhur sa më shumë gjurmë kimike, ndërsa “plagët” që makina ka pësuar mendohet se do të jenë dhe çelësi për përcaktimin e dinamikës së ngjarjes.
Mjeti
Nëse kufoma e Trebickës duhet t’u nënshtrohet disa lloj analizave mjeko-ligjore, ekspertimi i fuoristradës së tij kërkon një punë gjigante dhe tejet të avancuar. Ekspertët amerikanë do të jenë të pajisur dhe me kompjuterë specialë, në të cilët do të hedhin të gjitha të dhëna e mbledhura për të arritur më pas në skicimin e variantit përfundimtar. Por ajo çka është më e rëndësishme të zbulohet lidhet me dyshimin nëse distanca dhe gjendja e makinës nga trupi mund të ishin shkak i një aksidenti normal, apo i një skene të stisur. Dyshimet e mëdha për një ndjekje të mundshme nga një tjetër automjet priten të marrin përgjigje pas ekspertimit të specialistëve amerikanë. Deri tani për shumë ekspertë kriminalistikë dëmtimi i njëanshëm i makinës dhe distanca shumë e madhe me kufomën kanë lënë shumë hije dyshimi. Sipas një numri të konsiderueshëm ekspertësh, skena e krimit ngre dyshime serioze lidhur me shkaqet që e shkaktuan, ndërsa ekspertimi i mjetit do të japë të dhëna shkencore ekzakte lidhur me dinamikën dhe trajektoren e ngjarjes, që çuan në skenën e krimit. Ekspertët janë të mendimit se mjeti është një tregues i rëndësishëm për sa kohë që (në rast vrasjeje) manipulimi i tij është disa herë më i vështirë sesa manipulimi i viktimës.
Analizat
Sikurse është shpallur nga vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ende nuk kanë përfunduar shumë analizime dhe ekspertime të rëndësishme që lidhen me aksidentin. Sikurse është mësuar deri tani, ka përfunduar vetëm ekspertimi i kufomës, ndërsa elemente të ndryshme (dheu dhe mikroelemente të tjera), që janë gjetur në trupin e viktimës, ende nuk janë analizuar apo krahasuar me provat e tjera të mbledhura në vendngjarje. Pasi janë fotografuar plagët e viktimës ngelen për t’u analizuar mikro-elementë që janë gjetur në to, ndërsa krahasimi i përgjithshëm i detajeve (sidomos me gjurmët dhe provat që do të gjenden në makinë) do të plotësojë edhe më shumë skicën dhe mekanizmin e ngjarjes.

BOX
Distanca nga makina ngriti dyshimet e para

Disa ekspertë kriminalistikë, të pyetur nga “Albania”, janë shprehur se gjendja (e cila duket në pamje të parë) e makinës ngre dyshime logjike lidhur me skenën e vendngjarjes. “Është evidente se makina është dëmtuar vetëm në njërën anë të saj. Po kaq evident është dhe fakti se kufoma gjendet në një distancë të konsiderueshme nga mjeti. Nëse mjeti, pasi është rrokullisur, është dëmtuar kaq pak, logjikisht del se mjeti ka ecur me shpejtësi të vogël. Në këto kushte, kur mjeti ka qenë me shpejtësi kaq të vogël, lind pyetja: si mund ta ketë hedhur aq larg ky mjet viktimën? Nëse e ka hedhur menjëherë dhe pastaj ka vazhduar për inerci, pyetja është: si mund të ecte për inerci paralel me viktimën?” - i kanë thënë ekspertët “Albania”-s, të cilët shprehen të sigurt se ekspertimi profesional i makinës mund të jetë çelësi i zgjidhjes së enigmës. Përveç këtij fakti, ata janë shprehur se për hir të kompleksitetit të skenës së krimit, heqja e makinës nga vendngjarja mund të rezultojë një veprim në dëm të zbardhjes së rrethanave. Sakaq, është mësuar se Kosta Trebicka kishte ndryshuar bojën e automjetit vetëm tri javë përpara se të nisej për në Voskopojë. Automjeti tip "Nisan Patrol", me targa TR 8843 J, tri javë më parë është çregjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Transporteve si makinë me ngjyrë blu. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve ka sinjalizuar Policinë Rrugore, e cila ka zëvendësuar të dhënat e automjetit në sistem me ngjyrën e re, të kuqe.

BOX
EKSPERTIMET QË PRITET TË KRYHEN NË VIJIM

Kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor të kufomës. Akti e ekspertimit përgatitet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë. Deri tani ata kanë deklaruar konkluzionet paraprake mbi shkakun e vdekjes.

Kryerja e ekspertimit tekniko-balistik (të armës së gjahut). Akti i ekspertimit po përgatitet nga Instituti i Policisë Shkencore Tiranë.

Kryerja e ekspertimit daktiloskopik të gjurmëve të mundshme në armën e gjahut të sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Ekspertimi tekniko-kimik për përcaktimin e prezencës së faktorëve plotësues të qitjes në rrobat e viktimës.

Ekspertimi daktiloskopik vlerësues të bidonëve me mbishkrimin “Coca Cola” dhe “Bureto”, të gjetura afër trupit të viktimës në vendin e ngjarjes.

Ekspertimi tekniko-kimik për masën e dheut të sekuestruar në automjetin e viktimës krahasuar me mostra të marra nga sipërfaqja e tokës afër viktimës.

Ekspertimi teknik për pjesët e stukos dhe bojës së makinës të gjetura në vendin e ngjarjes dhe te veshi i viktimës, gjatë këqyrjes së kufomës, duke marrë modele krahasimi nga automjeti i viktimës.

Ekspertimi teknik i copave të xhamit të gjetura në vendin e ngjarjes, me ato të marra nga makina.

Ekspertimi biologjik për fijet e flokut të marra nga koka e viktimës, me qimen e gjetur në bluzën e viktimës si dhe me qimet e marra qenit të gjahut të viktimës.

Ekspertimi tekniko-balistik i fishekëve të gjetur në çantat në dhomën nr. 107 në hotel “Akademia”, ku ka fjetur viktima më datë 11.09.2008.

Ekspertimi tekniko-balistik i saçmave të nxjerra nga shpendët e vrara në gjueti nga viktima dhe krahasimi me saçmat e fishekëve të sekuestruar.

Ekspertimi toksikologjik i lëngjeve të gjetura në bidonët me mbishkrimet “Coca Cola” dhe “Bureto”.

Ekspertimi toksikologjik i organeve të marra viktimës gjatë këqyrjes së kufomës. Ky akt ekspertimi do të kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë.

Ekspertimi toksikologjik i gjakut të marrë viktimës gjatë këqyrjes së kufomës, për të përcaktuar grupin e gjakut dhe krahasuar me masën e gjakut të marrë pranë kufomës në vendin e ngjarjes. Ky akt ekspertimi do të kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë.

Këqyrja e brendshme e automjetit si dhe ekspertimi auto-teknik i automjetit, që do të kryhet nga ekspertë të specializuar nga jashtë vendit, të thirrur nga Prokuroria.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›